Beqja: Ekonomia shqiptare, e fundit në rajon që do të fillojë ringritjen

Tiranë, 27 prill, NOA Partia Socialiste ka hedhur poshtë deklaratat e drejtuesve të qeverisë për rritje ekonomik dhe zhvillim të qëndrueshëm. Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, në një konferencë për shtyp tha sot se, përveç krizës ekonomike qeveria vazhdon të fsheh dhe të dhënat e fundit, që sipas tij janë alarmante.
Beqja shtoi se opinionit po i mbahen të fshehura të dhëna që flasin se ekonomia shqiptare është e fundit në rajon.
Të dhënat mbahen të fshehta: sepse publikimi i tyre provon se vendi ndodhet në krizë ekonomike; sepse publikimi i tyre provon botërisht vërtetësinë e deklarimeve të përsërituara të Partisë Socialiste për krizën në të cilën ndodhet ekonomia e vendit;
sepse publikimi i tyre përligj deklarimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar se ekonomia shqiptare do të jetë e fundit në rajon që do të rifillojë ringritjen, u shpreh Beqja.
Duke hedhur poshtë të gjitha të dhënat që flasin për rritje investimesh dhe rritje ekonomike, Beqja shtoi se shqiptarët duhet të protestojnë për të larguar këtë qeveri.
3 ditë nga sot, në 30 prill, në bulevardin e Tiranës, u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që ti bashkohen protestës sonë deri në largimin e kësaj qeverie që nuk punon për shqiptarët, por sundon për pasurimin e një kaste pushtetarësh, tha Beqja.
m.xh/NOA