E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu: “Presidenti Topi nuk e ka shkelur Kushtetutën, maxhoranca po e sulmon”



Ish-presidenti Alfred Moisiu i ka dalë në mbrojtje presidentit aktual, Bamir Topi, lidhur me debatin për Gjykatën Kushtetuese. Për ish-presidentin, pasardhësi i tij, i cili ndodhet në mes të një sulmi nga maxhoranca që e zgjodhi 3 vite më parë, nuk e ka shkelur Kushtetutën për mosdekretimin ende të kreut të Gjykatës Kushtetuese. "Nuk shoh asnjë shkelje kushtetuese në këtë rast. Kjo është për të ardhur keq, sepse duket qartë që është një synim politik i maxhorancës për të goditur dhe nënshtruar Presidentin e Republikës", - tha Moisiu. Presidenti deri në vitin 2007 e ka parë si pozitive nismën për të rregulluar me ligj veprimtarinë e këtij institucioni. Por, sipas tij, në të duhet të përfshihet dhe statusi i ish-presidentëve. "Për gjykimin tim ky ligj nuk prish punë; të përcaktohen disa gjëra që pavarësisht se në Kushtetutë janë të njohura dhe të mirëshkruara të drejtat legjitime të presidentit, por ka dhe gjëra që nuk janë saktësisht të caktuara, të drejtat dhe detyrat e Presidentit kur është në funksion, edhe kur largohet nga detyra", - u shpreh Moisiu. Ai kujton 2007-n, kur Vladimir Kristo mori kryesinë e Gjykatës Kushtetuese me disa ditë vonesë nga skadimi i mandatit të paraardhësit të tij. "Në 2007-n, kur kishte skaduar disa ditë mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe u bë gati një revoltë, më quajtën dhe që po bëja grusht konstitucional. Ndërsa me sa di unë, kryetarit aktual i ka skaduar në fillim të qershorit mandati dhe ky problem u nxeh në fund të korrikut, pra dy muaj me vonesë", - tha ish-presidenti Moisiu.
Partia Demokratike, disa ditë më parë e ka akuzuar Bamir Topin se ka shkelur afatet kushtetuese në lidhje me mosdekretimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, mandati i të cilit ka përfunduar në muajin qershor. Sipas deputetit demokrat Eduard Halimi, ky është një rast i paprecedent i shkeljes së Kushtetutës. Më tej, në emër të Komisionit të Ligjeve, Halimi i ka kërkuar Presidentit të dekretojë sa më parë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, të institucionit që është garant i Kushtetutës dhe njëkohësisht kërkoi thirrjen urgjente të Parlamentit për të bërë emërimin e tij. Fill pas akuzave të PD-së ka reaguar këshilltari ligjor i presidentit, Spiro Peçi, i cili i cilësoi akuzat e PD-së të pavërteta dhe që bëhen për të larguar vëmendjen nga politika e ditës. Peçi argumentoi se në bazë të Kushtetutës, zgjedhja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese duhet bërë nga radhët e anëtarëve të kësaj gjykate, por katër prej nëntë anëtarëve u ka përfunduar mandati. Pra më parë duhet të zgjidhen katër anëtarët, të cilëve u ka përfunduar mandati dhe më pas të zgjidhet kryetari i Gjykatës. Më tej Peçi tha se në këtë veprim nuk ka shkelje të Kushtetutës për shkak se Gjykata vazhdon të funksionojë dhe se funksioni i kryetarit të Gjykatës është i njëjtë më atë të anëtarëve.

4 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›