E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonat muzeale të rrezikuara

04/08/2010 Bashkia Berat, apel për ndihmë qeverise

BERAT- Kanë kaluar rreth një javë dhe ende nuk është marrë asnjë masë për të parandaluar rrezikun për rënien e dherave dhe gurëve shkëmbor në dy lagjet kryesore të qytetit të Beratit. Burime pranë Bashkisë së qytetit bëjnë me dije se, pas ndihmës së kërkuar në ministrin përkatëse për situatën e krijuar, banorët ngelen sërisht në mëshirë të fatit. Menjëherë pas rënies së gurëve në banesat e qytetarëve në lagjen muzeale “Gorice” dhe atë “Mangalem”, është kompletuar një dosje me të gjitha të dhënat nga shtabi i emergjencave civile, ku është dërguar në instancat e larta shtetërore dhe deri në këto momente nga ana e tyre nuk është dhënë asnjë përgjigje. Pikërisht në këtë dosje janë shpjeguar të gjitha rreziqet që janë konstatuar në dy zonat problematike. Por nga ekspertët është vërejtur se me problemet ekzistuese duhet patjetër ndërhyrje dhe investim për marrjen e masave për mos rënien në gurëve dhe dherave në Goricë dhe Mangalem. Këto lagje mbeten ende me këtë problem evident, i pa zgjidhur dhe shqetësues. Banorët e këtyre lagjeve kanë bërë kërkese për marrjen e masave të menjëhershme, pasi ndihen të rrezikuar. Nënkryetari i Bashkisë së Beratit Stavri Ceca, ka pohuar për gazetën situatën dhe kërkesën e bërë. Zona është inspektuar dhe parë nga afër edhe nga drejtoria e monumenteve të kulturës si dhe nga përfaqësues të emergjencës pranë këtij institucioni, ku bashkia pret nga çasti në çast një zgjidhje konkrete. Gjithashtu, Numri i dy i bashkisë, ka pohuar se, “këto zona ngelen problematike dhe nëse nuk ka një ndërhyrje konkrete, situata do të agravohet dhe më tej, duke vënë në rrezik jo vetëm banesat por edhe jetën e qytetarëve”. Sipas Cecës vetë bashkia nuk mund të veproj për mungesë fondesh. Apeli ynë është se, “duhet të merren masa të menjëhershme pasi koha nuk pret”. Gjithsesi, deri në një zgjidhje përfundimtare banorët e dy lagjeve karakteristike të Beratit ngelen në mëshirë të fatit.

Për vite me radhë ky ka qenë një problem shqetësues për banorët e qytetit të Beratit, pasi vitet e fundit ka pasur rrëshqitje dherash masiv si dhe rëniesh shkëmbinjsh. Vet struktura shkëmbore në të cilat janë ngritur këto lagje muzeale, ka bërë që herë pas here të jenë nën riskun e rënieve të

shkëmbinjve. Dy vitet e fundit rreziku ka qenë më prezent, ku fillimisht në lagjet muzeale “Mangalem” ka pasur dëmtime në banesa duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve dhe një vit më vonë problemi është shfaqur në lagjen “Goricë” të këtij qyteti. Edhe, pse Beratit e ka marrë pasaportën për në UNESKO, deri në këto moment ngelet i pa zgjidhur problemi, për eliminimin e ndonjë situate më fatkeqe, për banorët dhe shpëtimin e banesave karakteristike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›