E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e filluar në kohën e Zogut përfundon në vitin 2010

04/08/2010 Dalin në dritë zonat e “zhdukura” prej 100 vitesh

Rruga Qukës- Qafa e Plloçës do të nxjerrë nga harresa totale e 70 viteve dy komunat malore të rrethit Pogradec, Proptishtin dhe Trebinjën, ku një sërë fshatrash të këtyre dy komunave shtrihen përgjatë rrugës që aktualisht po ndërtohet. Ndërkaq po nga kjo rrugë do të përfitojnë edhe fshatra të komunave të tjera, ku komuna Trebinjë numëron Çezma e Madhe, Çezme e Vogël, Hondisht, Selcë e Sipërme, Llëngë, Pleshisht, Hoshtec, Zemçe, Trebinjë, Potkozhan, Maline, Kalivaç, Pevelan, Dunicë dhe Guri i Bardhë, ndërsa komuna Proptisht rendit fshatrat: Radokali Sipër, Radokal Poshtë, Homezh, Slabinjë Somatinë, Kriçkovë, Selva Poshtë, Homcan, Verri, Proptisht, Golik, Slatinë, Baribardhë, Selishtë dhe Zall Torre, ku në të dy komunat jetojnë më shumë se 12 mijë banorë. I renditëm të gjitha fshatrat për të treguar se gjithë hapësira gjeografike në të cilën ato shtriheshin, kishin mbetur të izoluara për gati një shekull të terë. Rruga Qukës-Qafa e Plloçës kishte filluar që nga koha e mbretit Zog, por që nuk arriti asnjëherë të kishte parametrat e një rruge bashkëkohore. Që nga ajo kohë e deri më sot rruga e vjetër ishte e përshtatshme vetëm për karvanë kuajsh, ashtu si dikur në lashtësi dhe ndoshta që nga koha e mbretit Bardhyl. Megjithatë, pas 70 vitesh fshatrat e mësipërm po shohin të përfunduar lotin e parë të kësaj rruge, 3.2 km, e cila do të ketë një gjatësi prej 40 kilometrash dhe do të afrojë zonën malore të Pogradecit jo vetëm me qytetin e Korçës, por edhe me Elbasanin dhe Tiranën. Për rrjeddhojë, tashmë e në vijim do të ketë largime më të pakta të banorëve nga këto fshatra, të ardhura më shumë për banorët e tyre, një shitje më të garantuar të prodhimeve bujqësore e blegtorale, madje, pse jo, edhe një të ardhme më të mirë për turizmin malor, pasi këto vende janë të pasura me ujëra burimesh, liqene të vogla malore, objekte historike, livadhe dhe pyje të shumta. Përfundimi i lotit të parë me një gjatësi prej 3.2 kilometra, me financim nga buxheti i shtetit, me një vlerë prej 424.5 milionë lekë, është konsideruar nga banorët e fshatrave si një nga arritjet më të mëdha shekullore, pasi deri më sot, edhe pse rruga e vjetër, si një rrugë karvanesh, shkonte deri në fshatrat e komunave, por nuk mundësonte kalimin e automjeteve. Jo vetëm në stinën e dimrit, ku disa nga këto fshatra izoloheshin totalisht , por edhe në verë, njerëzit që kishin nevojë për mjekun apo edhe urgjenca të tjera dhe që u duhej të shkonin në Pogradec apo Korçë, udhëtonin të hipur në kuaj dhe mushka. Për të gjithë këto arsye, mjaft prej të rinjve që studiojnë në Tiranë, apo edhe jashtë shtetit, shprehen se tashmë fshatrat e tyre po u duken gjithnjë e më të këndshëm. Dhe jo vetëm kaq, gjithçka që prodhojnë në tokat e tyre aktualisht kanë mundësi ta çojë në tregjet e qyteteve që kanë më afër. Burime nga stafi i firmës ndërtuese bënë të ditur se tashmë po punohet me veprat e artit, të cilat janë në përfundim e sipër, por që në të vërtetë zënë një volum të madh pune, pasi muret mbrojtëse do të kenë një shtrirje deri në 4 kilometra, ndërsa ura do të jetë e gjatë 22 metra, me një lartësi prej 4 metrash. Ndërkohë po punohet edhe për shtrirjen e tubacioneve të ujit që do të shërbejnë për vaditjen e tokave të fermerëve. Me përfundimin e këtij segmenti rrugor do t’i hapet udha ndërtimit të dy loteve të tjera, shpjeguan burimet pranë firmës zbatuese të projektit.

Vepror Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›