Xhafaj: “PS-ja i ka dorëzuar propozime të reja PD-së për zgjidhjen e krizës politike”
Eneida Jaçaj
Edhe në këto ditë të nxehta vere negociatat për zgjidhjen e krizës politike mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike vazhdojnë. PS-ja ka shprehur gatishmërinë e saj për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor. Lajmin e ka bërë të ditur dje sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, i cili e akuzoi PD-në se nuk ka vullnet për të zbatuar Rezolutën e Parlamentit Europian.
Deklarata
Socialisti Xhafaj informoi se kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i ka dorëzuar homologut të tij nga PD-ja, Astrit Patozi, propozime të reja për zgjidhjen e krizës. “Nuk mund të them se nga pala jonë ka reshtur përpjekja për të arritur në një zgjidhje. Ne jemi të shqetësuar për domosdoshmërinë e zgjidhjes dhe për të respektuar kërkesat e ndërkombëtarëve, sidomos ato të Rezolutës së Parlamentit Europian. Në këtë kontekst, gjatë këtyre ditëve kemi bërë hapa konkretë.
Kryetari i Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, i ka ofruar kryetarit të Grupit të PD-së, Patozi, propozime konkrete”, - tha Xhafaj. Deputeti socialist nuk ka preferuar të japë detaje as për kohën kur është zhvilluar takimi Patozi-Ruçi, as për përmbajtjen e propozimeve dhe reagimin e maxhorancës mbi këto propozime duke e përjashtuar veten nga kompetenca për të bërë publike këto detaje. “Si janë këto propozime, në ç’mënyrë dhe si do të reagojnë nuk më takon mua ta them, sepse është çështje ndërmjet dy kryetarëve të grupit. Natyrisht, janë dhe çështje që nuk ka pse të mos kenë dhe konfidencialitetin e nevojshëm deri në zgjidhjen përfundimtare të tyre”, - sqaroi Xhafaj, duke shtuar se PS-ja është gati për të ngritur që sot Parlamentin për të formuar komisionin hetimor të zgjedhjeve, ku opozita të ketë shumicën dhe drejtimin e saj.
Maxhoranca
Sekretari për Çështjet Ligjore në PS ka vazhduar akuzat ndaj kryeministrit Sali Berisha se është ai që po pengon zgjidhjen e krizës duke refuzuar transparencën e zgjedhjeve. “Edhe sot që po flasim nuk kemi reshtur së kërkuari një zgjidhje me propozime konkrete. Problemi është në faktin se kryeministri nuk do transparencën e zgjedhjeve. Ai është në qëndrim të kundërt me median, me qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë. Kryeministri ynë nuk do të vërtetën, sepse do të vjedhë prapë”, - u shpreh Xhafaj.
Reagim
Gumi: “PD-ja është e gatshme për ngritjen e komisionit hetimor sipas Rezolutës së PE-së”
Pas kërkesës së socialistëve për të mbledhur një seancë të jashtëzakonshme, ku Kuvendi të ngrejë komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet, vjen edhe reagimi i maxhorancës. Në emër të partisë së tij, deputeti demokrat Viktor Gumi, shprehet dakord për komisionin hetimor dhe miratimin e tij në çdo kohë, duke respektuar Rezolutën e Parlamentit Europian, së cilës Fatmir Xhafaj i referohej. "Grupi Parlamentar i PS-së ka bërë propozimet e tij në të cilat rikonfirmohen në përgjithësi përgjegjësit e tyre të mëparshme. Grupi Parlamentar i PD-së konsideron se në respekt të Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe vendimeve të gjykatave të këtij vendi, Rezoluta e PE-së mund dhe duhet të zbatohet në frymë dhe në germë. Rezoluta e PE-së është e qartë si kristali në qëndrimet e saj. Çdo interpretim partiak i saj është i padobishëm. Në zbatim të kërkesave të Rezolutës, grupi i PD-së është i gatshëm në çdo kohë të thërrasë Kuvendin", - theksoi Gumi.
4 Gusht 2010