E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moisiu-Stefanopulos, replika për Kosovën dhe çamët

18/10/2004  Shteti grek nuk do të lëshojë asnjë qëndrim për pronat e çamëve. Kjo pikë ka sjellë dhe një ashpërsim të toneve në takimin mes Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, me atë të Greqisë, Kostandinos Stefanopulos. Ky i fundit ka theksuar se një çështje e tillë nuk ekziston, duke e cilësuar si një të shkuar që nuk mund të rikthehet. Ndërsa Presidenti Alfred Moisiu ka kërkuar që problemi i pronave të popullsisë çame të zgjidhet sipas marrëveshjes së lidhur mes dy kryeministrave. Në konferencën e dhënë për shtypin, kreu i shtetit shqiptar kërkoi ngritjen e dy grupeve të punës, që do të gjejnë zgjidhjen teknike të së drejtës së pronës. Një tjetër pikë e debatit mes dy krerëve të shteteve ka qenë dhe përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës. Kanë qenë pikërisht këto dy pika, që kanë treguar se deklaratat për një fqinjësi të mirë mes vendeve, apo për një bashkëpunim të pastër, janë vetëm një fasadë, që tenton të mbulojë sherret mes të dy vendeve.

Çamëria

"Unë nuk e di nëse ekziston nevoja e zgjidhjes së problemit çam. Nuk e di se cilat janë takimet politike mes dy qeverive, por personalisht them se ky problem është i mbyllur. Nuk ekziston më", tha Presidenti i Greqisë. Madje, duke iu kundërpërgjigjur kreut të shtetit shqiptar, ai tha se dhe shteti grek ka pasur pretendimet e tij ndaj Shqipërisë, por që tashmë kjo është një pikë e harruar. Me këtë, ai ka lënë të nënkuptuar se i qëndron mendimit që Epiri është tokë greke. Për këtë, ai ka përdorur faktin se familja e tij, është me prejardhje nga një fshat me minoritet grek, Dhrovjan, që ndodhet në Shqipëri. Ndërsa ka theksuar se është larguar nga ky vend para se të ndodhnin trazirat në Çamëri. Ky qëndrim është kundërshtuar nga Presidenti Alfred Moisiu, i cili ka përmendur marrëveshjen mes Kryeministrit shqiptar dhe atij grek disa muaj më parë. "Sikurse kanë rënë dakord kryeministrat, të fillojnë sa më parë negociatat dypalëshe në nivel ekspertësh për t'i dhënë zgjidhjen e drejtë juridike problemit të pronave të popullsisë çame dhe të shqiptarëve në Greqi si dhe të atyre greke në Shqipëri", tha Moisiu. Ai kërkoi që iniciativat të ndërmerren sa më shpejtë që debatet historike të gjejnë zgjidhje.

Kosova

"Politika greke, për sa i përket problemit të Kosovës, inkuadrohet në politikën e përgjithshme evropiane për këtë problem. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit është në fuqi dhe ka vlerë aksioma “standardet para statusit” për Kosovën", tha Presidenti Stefanopulos. Në këtë mënyrë, ai ka qëndruar me mendimin se përcaktimi i një statusi është ende larg. Ndërkohë, Moisiu është shprehur se përcaktimi i një statusi përfundimtar do të sillte garantimin e stabilitetit të rajonit.

Moisiu për incidentin e ndeshjes: "Nuk ka pyll pa derra"

Greqia premton mbështetjen për në NATO

Gjatë takimit të zhvilluar në rezidencën Presidenciale, kreu i shtetit grek është shprehur se do të mbështesë vendin tonë në integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ai ka vlerësuar se marrëdhëniet mes të dy vendeve nuk mund të tronditen nga incidente sporadike. "Do të ishte fatkeqësi nëse politikat e shteteve do të përcaktoheshin nga ngjarjet që mund të përfaqësojnë një ndeshje futbolli dhe nëse marrëdhëniet politike midis dy qeverive do të ndikoheshin nga pikëpamjet e rretheve fanatike, fanatizëm që gjen ngandonjëherë shfaqjen edhe në ndeshjet e vetë futbollit grek, tifozëve të skuadrave të ndryshme", tha Stefanopulos. Duke mbështetur një ide të tillë, kreu i shtetit shqiptar tha se e rrezikshme do të ishte nëse administrata shetërore do të shfaqte ndjenja fanatizmi që janë në dëm të marrëdhënieve. "´Pyll pa derra nuk ka´, sigurisht që organet shtetërore duhet të jenë në regull", tha Presidenti Moisiu. Bashkëbiseduesit kanë deklaruar se marrëdhëniet mes të dy vendeve janë shumë të mira, dhe kanë një histori shumë të gjatë. Ndërkohë që emigrantët shqiptar në Greqi dhe minoritetet greke në Shqipëri janë vlerësuar si një urë lidhëse mes të dy vendeve.

Monitorim për të drejtat e minoriteteve në Shqipëri

Kreu i shtetit grek takim me Dulen dhe Omonian

Presidenti i Greqisë ka zhvilluar dje një takim pune me përfaqësuesin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Burimet kanë bërë të ditur se biseda është përqëndruar në problemet që ka minoriteti grek në Shqipëri si dhe mbi hapësirat që ka ky komunitet në administratën shtetërore. Në vizitën treditore, Stefanopulos ka parashikuar dhe një takim me përfaqësuesit e Shoqatës "Omonia". Gjithashtu, është parashikuar që Presidenti grek të vizitojë dhe fshatin ku ka lindur gjyshi i tij. Në mbërritjen në Shqipëri, kreu i shtetit grek është pritur prej përfaqësuesve të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ndërsa në residencën Presidenciale për nder të tij është interpretuar Himni i Greqisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›