PD kundër çmimeve për legalizimin e zonave informale
18/10/2004 Kryetari i Partisë Demokratike ka kërkuar dje rishikimin e disa neneve të projektligjit për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme. Sipas tij, është e papranueshme që ata, të cilët kanë bërë ndërtime para vitit 1992, të paguajnë një faturë për tokën më të ulët se ata që kanë ndërtuar pas këtij vitit. Për kreun e PD-së, kjo ndarje është e karakterit enverist. Nga ana tjetër është hedhur poshtë mënyra e legalizimit të ndërtimeve në qendër të Tiranës, ku parashikohet një ulje 4 për qind. Megjithatë është pranuar se drafti gjatë diskutimeve ka pasuar ndryshime pozitive, që kanë sjellë dhe një projektligj të pranueshëm. Partia Demokratike ka bërë të ditur se mbi këtë pikë do të bisedojë me aleatët, për të koordinuar veprimet. Ndërsa do të jetë dita e enjte që do të vendosë mbi ndryshimet e fundit të draftit në fjalë. Pas kësaj, gjithçka do t'i lihet veprimeve të shtetit për legalizimin e zonave informale. Sipas projektligjit, do të jetë Këshilli i Rregullim Territorit, që do të përcaktojë se kush do të quhet zonë informale për t'u legalizuar. Ankesa ndaj draftit kanë paraqitur dhe deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që kanë kërkuar që më parë të kryhet procesi i legalizimit dhe më pas ai i urbanizimit.