E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moisiu: Tragjedia e Gërdecit është korrupsion shtetëror

 

Ish-presidenti Alfred Moisiu shprehet kundra prekjes së Kushtetutës për interesa të ngushta të politikës

Një muaj pas tragjedisë së Gërdecit, ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu ka gjetur rastin që ta denoncojë këtë ngjarje si pasojë e korrupsionit që ka përfshirë institucionet më të larta shtetërore. Megjithëse nuk vë "gishtin" për fajësinë tek institucione konkrete, ish-numri një i shtetit, shprehet se të gjitha zhvillimet që pasuan atë ngjarje tregojnë qartë se ajo që ndodhi në Gërdec është produkt i marrëdhënieve të pandershme që shtetit shqiptar ka ndërtuar me kompani, qofshin këto vendase apo të huaja, për tregtinë e armëve. "Gërdeci është një korrupsion shtetëror. Korrupsioni më i madh shtetëror që ka ndodhur tek neve",- u shpreh dje ish-presidenti Alfred Moisiu. Çështja komprometohet edhe më shumë, sipas Moisiut, po të analizohet situata edhe nga ana teknike, vendi ku bëhej demontimi armëve, në afërsi me rrugën kryesore apo me aeroportin, mënyra se si furnizohej dhe municioni që demontohej në këtë fabrikë etje. "Pa hyrë në hollësira, si e qysh, vetë fakti i caktimit të këtij pozicioni me këtë distancë nga kryeqytetit, nga aeroporti dhe nga rruga jonë kryesore që lidh Tiranën me Durrësin, të vë në dyshim të plotë, jo mbi shkeljen e disa rregullave, por të vë në dyshim se cili ka qenë qëllimi. Dhe kjo është e përputhur me ligjin, me vendime e kështu me radhë, dhe kur vjen puna, të gjithë thonë nuk dimë gjë", - u shpreh Moisiu. Duke kërkuar transparencë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje, ish-Presidenti vë në dukje nevojën që Kryeprokurorja të sillet me profesionalizëm dhe jashtë ndikimeve politike. Kjo, sipas tij, do të jetë një gur prove për të. "Ky problem do të jetë një gur prove, qoftë për Prokurorinë e Përgjithshme, qoftë për gjykatat, qoftë edhe për politikën në tërësi. Sikurse e thashë, sot politika, në vend që të ndihmojë që ta çojë përpara zbardhjen e kësaj çështjeje, po mundohet që ta koklavisë", - tha Moisiu. Ndërkohë duke komentuar zhvillimet politike, sidomos pas paketës së mendimeve kushtetuese që propozoi Partia Demokratike, ai shprehet se një gjë e tillë është e panevojshme në këtë moment. Kushtetuta, sipas tij, nuk mund të jetë një mjet shpëtimi, e cila duhet ndryshuar sa herë që politikanë apo parti të ndryshme kanë mosmarrëveshje mes tyre. "Do e quaja joserioze, pasi me qëndrimin ndaj Kushtetutës dhe sjelljen ndaj saj, duhet të jesh shumë serioz. Kushtetuta nuk duhet të ndryshojë kollaj. Tek ne është bërë modë që një pengesë të haset, dhe të ndiqet kjo mënyrë", - u shpreh Moisiu. Duke i qëndruar linjës së paprekshmërisë së Kushtetutës, ai ka bërë të ditur se edhe gjatë ndryshimit që iu bë asaj, kur ai ishte kryetar shteti, e ka pranuar atë me "zemër të thyer". "Mund të jetë nevoja dhe të bëhet një referendum, sepse u bënë disa probleme si, sistemi zgjedhor, kompetencat e Presidentit, që nuk e kuptoj se pse duhet të preken. Qoftë pastaj ndërhyrja për çështjen e raportit të Kryeministrit me Parlamentin", - theksoi Moisiu. Përsa i përket pikave konkrete, ku Kushtetuta kërkohet që të preket, ish-presidenti ka konsideruar si të papranueshme cenimin apo kufizimin e kompetencave të presidentit. Sipas tij, institucioni i Presidentit, edhe në bazë të Kushtetutës aktuale, ka shumë pak kompetenca.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›