Zona e "ish-Bllokut", me trafik të kufizuar
Në projektvendimin e Bashkisë së Tiranës, caktohen rrugët që kufizojnë zonën dhe do të ketë trafik të kufizuar
Zona e "ish-Bllokut" do të caktohet si zonë me trafik të kufizuar. Të paktën gjatë sezonit veror, në këtë zonë nuk do të qarkullojnë makinat orar e pa orar. Ky është propozimi i Bashkisë së Tiranës, i cili ka përfshirë dje në axhendën e diskutimeve të Këshillit Bashkiak edhe projekt vendimin "Për zonën e ish-Bllokut si zonë me trafik të kufizuar". Sipas këtij projektvendimi, zona e mësipërme kufizohet nga këto rrugë si bulevardi "Dëshmorët e Kombit" nga pjesa lindore, e pasuar nga bulevardi "Bajram Curri" nga pjesa veriore. Gjithashtu, kjo zonë kufizohet edhe nga rruga "Abdyl Frashëri" nga pjesa veriore dhe rruga "Sami Frashëri" nga pjesa perëndimore. Ndërkohë bashkia e Tiranës ka propozuar që kjo zonë të trajtohet sipas 3 fazave. Kështu, në fazën e parë do të trajtohet segmenti i rrugës "Ismail Qemali" që kryqëzohet nga lindja me rrugën "Dëshmorët e 4-Shkurtit" dhe perëndimi me rrugën "Vaso Pasha". Ndërsa në fazën e dytë do të trajtohen segmente e rrugëve "Brigada e VIII", rruga "Pjetër Bogdani", dhe rruga "Nikola Tupe" që kryqëzohet nga lindja me rrugën "Dëshmorët e 4-Shkurtit" dhe perëndimi me rrugën "Vaso Pasha". Për të trajtuar zonën e "ish-Bllokut" me trafik të kufizuar, bashkia e Tiranës ka propozuar që të përdoren bllokues elektronikë me telekomandë. "Bashkia e Tiranës të trajtojë të gjitha rastet e qarkullimit të domosdoshëm brenda territorit të zonës me trafik të kufizuar, për shkak të rrethanave që nuk mund të përjashtohen me lejekalimet përkatëse dhe pajisjet e nevojshme për lëvizshmëri", bëhet e ditur në relacion. Sipas Bashkisë trafiku i kufizuar për këtë zonë gjatë viteve të kaluara, ka sjellë eliminimin e shkarkimeve të dëmshme të automjeteve në ajrin mjedisor, eliminimin e problemeve të sigurisë rrugore për shkak të lëvizjes në një zonë të destinuar për këmbësorë dhe eliminimin e zhurmave që ndotin ambientet çlodhëse për qytetarët e Tiranës, të cilët këtë zonë e mbipopullojnë sidomos gjatë orëve të pasdites.