Moisiu: Vendimi për Kostën, i politizuar
Rrëzimi i kandidaturës së Vangjel Kostës është përcaktuar nga qëndrime politike dhe aspak profesionale. Ish-presidenti Alfred Moisiu ka akuzuar në tryezën e djeshme për rolin e gjyqësorit në demokraci shumicën e djathtë për një qëndrim të politizuar në rastin në fjalë. Duke kujtuar me statusin e dikurshëm, edhe një fërkim aktual mes Parlamentit dhe Presidentit, Moisiu gjithsesi ka nënvizuar se ndjekja e praktikave klienteliste dhe me kriter partiak në emërime kaq të rëndësishme vë në diskutim një investim të madh të bërë në drejtim të pushtetit gjyqësor. “Ajo që më shqetëson më shumë është se vendimet merren në mënyrë aspak transparente”, u shpreh Moisiu. Ngritja e shqetësimit në fjalë lidhet në fakt me një qëndrim të shumicës, e cila votoi kundër Vangjel Kostës pa dhënë shpjegime të qëndrueshme rreth kësaj. Deklarimi i kreut të Grupit Parlamentar, Astrit Patozi, me sa duket nuk ka mjaftuar për të bindur përfaqësuesit e njohur si dy ish-presidentët apo edhe pjesë të trupit diplomatik. Me aktin e fundit në Parlament, duket se shumica ka provokuar një ndarje të re të opinionit që kësaj radhe po drejtohet nga përfaqësues të njohur. Brenda politikës duhet thënë se zërat e tryezës së djeshme kanë formalizuar përballë qeverisë një opozitë të re.
#