E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihmoi vrasësin, pranga oficerit të Policisë Gjyqësore

Vasil Ristani akuzohet për manipulim të një dosjeje

Ndryshon provat e një vrasjeje, përfundon në pranga një oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Fierit. Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se Vasil Ristani është prangosur mesditën e së premtes rreth orës 15:30 nga kolegët e tij të Fierit dhe ata të Krimeve të Rënda në Tiranë. Ai akuzohet për manipulimin e hetimit të një dosjeje për një vrasje të kryer në vitin 2004 në Tiranë, autori i së cilës është lënë i lirë falë ndihmës manipulative të Ristanit. Paraditen e së premtes, Vasil Ristani ka qenë në punë si çdo ditë në institucionin ku u pre fletë-arresti i tij. Kolegët e tij shprehen të habitur për atë që ka ndodhur, pasi Ristani është prangosur ndërsa hynte në prokurori.

Hetimet

Ristani ka qenë prej dy muajsh nën hetim nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit. Shefi i këtij shërbimi, Numan Gjipali, pohon për “Shqip” se “SHKB-ja e Fierit ka bërë vetëm zbardhjen e dëshmive të oficerit të implikuar në këtë ngjarje, ndërkohë që hetimi mban vulën e Prokurorisë së Fierit”. Ndërkohë, sektori Task–Forcë që drejtohet prej kohësh nga zëvendësprokurorja e Fierit, Alma Kola, ka qenë organi që u mor me trajtimin e këtij rasti abuzimi dhe shpërdorimi me detyrën. Burime zyrtare të këtij sektori pohojnë për “Shqip” se ajo që çoi në arrestimin e Ristanit lidhet me dy dëshmi që ai nuk i depozitoi në dosjen e vrasjes së shtetasit Edmond Vruho, ngjarje kjo e ndodhur në muajin maj të vitit 2004, pranë shkollës “Qemal Stafa”, në Tiranë. Mësohet se Ristani i ka çuar dy dëshmitë pranë trupit gjykues të Gjykatës së Lartë, nëpërmjet avokatit Zenun Hajdërmataj, që mban edhe postin e kreut të dhomës së avokatisë së Fierit. Më pas kjo gjykatë vendosi lirimin e autorit të vrasjes. Këtu është parë shkelja ligjore e kryer nga Vasil Ristani. Kjo çështje i është referuar Task-Forcës së Fierit nga ana e SHKB-së dhe akuza me të cilën Ristani do të përballet është ajo e “shpërdorimit të detyrës”.

Zyrtarisht, SHKB-ja e Fierit shprehet se rreth një muaj më parë ndaj Vasil Ristanit është vendosur masa disiplinore me largim nga puna, por kjo masë është anuluar falë ndërhyrjeve miqësore, të cilat nuk rezultuan aq të forta sa të shmangnin prangosjen e oficerit të Policisë Gjyqësore mesditën e së premtes.

Ngjarja

Dosja që çoi në pranga oficerin e policisë gjyqësore të Fierit i përket vrasjes së shtetasit Edmond Vruho, ngjarje kjo e ndodhur në muajin maj të vitit 2004 pranë gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë. Burime konfidenciale të SHKB-së në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit, pohojnë për “Shqip” se Edmond Vruho është ekzekutuar nga shtetasi Bledar Qemalaj. Vrasja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi në vitin 2000 viktima kishte vrarë në qytetin e Fierit vëllain e Bledar Qemalajt. Për katër vite me radhë, Qemalaj e ndiqte gjakësin e tij dhe ka mundur ta ekzekutojë atë.

Manipulimi i dosjes

Manipulimi i dosjes nga oficeri ka sjellë edhe lirimin e autorit që ka kryer vrasjen, Bledar Qemalaj. Ky i fundit ka qenë nën hetim si autori i vetëm i dyshuar, por falë manipulimit që oficeri i ka bërë dosjes së tij, duke fshehur prova dhe fakte, ka mundur të lehtësojë qëndrimin e të pandehurit. Ai u shkarkua nga akuzat pas mohimit të dëshmisë që bëri në seancën e fundit dëshmitari i vetëm okular, G.Yzeiri.

Ky shtetas punonte kamerier në lokalin ku ndodhi vrasja e Vruhos dhe gjatë marrjes në pyetje kishte identifikuar nëpërmjet fotografive si autor të vrasjes Bledar Qemalajn. Por në sallën e gjyqit, kur u përball fizikisht me autorin e dyshuar, kamerieri që vinte nga jetimorja nuk ka qenë i bindur nëse bëhej fjalë për të njëjtin person, duke qenë edhe nën presionin e avokatëve që kërkonin detaje bindëse.

Kështu, falë manipulimit të dosjes hetimore, të ndihmuar prej oficerit të policisë gjyqësore, Vasil Ristani, dhe pas tërheqjes së deklaratës nga dëshmitari okular, autori i vrasjes, Bledar Qemalaj, u la i lirë pak kohë më parë. Mësohet se kjo dëshmi e Yzeirit ka plotësuar dy dëshmitë e pavendosura në dosje dhe ka mundësuar lirimin e autorit të vrasjes.

Afro dy muaj më parë, Gjykata e Lartë në Tiranë ka kthyer për rigjykim dosjen e vrasjes së Vruhos, ku si autor i vetëm i dyshuar mbetet sërish Bledar Qemalaj, i hetuar më parë për trafik narkotikësh së bashku me Emiljano Shullazin.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›