Mazhoranca, Starova: Fletët e votimit nuk duhen djegur
Zv/ministri i Mbrojtjes, Arjan Starova, dhe një nga aleatët e Partisë Demokratike në koalicionin qeveritar ka dalë kundër qëndrimit të mbajtur nga lidershipi i mazhorancës për djegien e fletëve të votimit. Gjatë një interviste të dhënë për “Alsat” Starova tha se “nuk duhet të digjen fletët e votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’i lërë fletët atje derisa të arrihet një artific ligjor që do të zgjidhë situatën. Djegia nuk është mesazh i mirë, pasi i forti që ka gjithçka në dorë nuk duhet të sillet keq, por të japë prova për një kompromis”. Kreu i Partisë Bashkimi Liberal, Arjan Starova, megjithatë ka deklaruar se ishte pesimist se opozita do të pranojë një marrëveshje të arsyeshme për zgjidhjen e krizës. “Kam frikë se PS nuk do të pranojë për fletët, por do të kërkojë një version të ri ata nuk kanë një qëndrim të qartë. Transparenca që kërkon Partia Socialiste e kreu misionin e saj dhe arriti interesat e PS-së. Nuk kemi pse të kërkojmë hapjen e fletëve të votimit, pasi gjithçka është në raportin e OSBE-së. Derisa në këtë raport thuhet se në 1/3 është numëruar keq dhe shumë keq atëherë duhet të rregullojmë draftet zgjedhore”. Starova është shprehur kundër mbajtjes të zgjedhjeve të parakohshme. “Zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje e efektshme, opozita nuk i ka kërkuar ato”, theksoi numri dy i Ministrisë së Mbrojtjes. Në fakt, djegia e fletëve të votimit është përsëritur shpesh nga deputetë të Partisë Demokratike madje edhe nga kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i cili në një intervistë të disa ditëve më parë përmendi edhe lëndën me të cilën do të kryhet djegia dhe nuk kishte dyshim se do të ishte benzina. Por opozita e ka kundërshtuar asgjësimin e fletëve të votimit, përderisa do të zhvillohet një proces hetimi nga një komision i posaçëm parlamentar. Kreu socialist, Edi Rama, e deklaroi qartësisht qëndrimin e tij dje se “Djegie e fletëve të votimit është djegie e çdo shansi për zgjidhje”. Ndërkohë, lideri i opozitës, duke komentuar deklaratat e përfaqësuesve të shumicës tha se “Nuk jemi këtu për të parë me syrin e mosbesimit. Po jemi këtu për t’u angazhuar që zgjidhja të realizohet dhe me besim të plotë palët të shkojnë përpara për të mirën e vendit dhe në interes të publikut”.
#