E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu "rrëfen sekretet" në Ulqin

Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ka promovuar në Ulqin vëllimin e parë të librit të tij "Kujtimet e një presidenti". Në fjalën e tij, ai theksoi se historianët nuk kanë mundur të shkruajnë të vërtetën për historinë e Shqipërisë në vite, pasi kanë qenë të ndikuar nga politika dhe ka hedhur idenë se historia mund të rishkruhet dhe jo të ribëhet. Si periudhë të një shteti të organizuar, përjashto format e diktaturës, ish-presidenti kujton me nostalgji 45 vitet e regjimit komunist, që ai e ka cilësuar si periudha kur Shqipëria kishte shtet të fortë. I pyetur nga "Shqip" në lidhje me kujtimet në kohën kur ishte President në pozicionin e tij mes së majtës dhe së djathtës, që pritet të dalin në botim së shpejti, Moisiu pohoi se ka pasur përplasje me të dyja forcat politike, por për ish-presidentin, e majta ishte më e moderuar në përplasje, ndërsa e djathta më e ashpër. Promovimi i librit është zhvilluar në ambientet e Shtëpisë së Kulturës në Ulqin, në prani të figurave të njohura të artit dhe politikës shqiptare në Mal të Zi.

Duke bashkëbiseduar me auditorin, Moisiu ka rrëfyer se një pjesë e jetës së tij, fëmijërinë, e ka kaluar në Mal të Zi.

Në fund të aktivitetit, ai ka dhënë autografe për lexuesit kureshtarë që duan të dinë të pathënat në kujtimet e një ish-presidenti.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›