Molas-Berisha: Shqipëria e ka vendin në BE
Shqipëria është sa vend mesdhetar, ashtu edhe evropian, dhe shqiptarët e meritojnë plotësisht që vendi i tyre të jetë së shpejti vend anëtar i BE-së. Këtë pohoi dje në Tiranë zv.kryetari i Senatit të Spanjës, z. Isidre Molas, gjatë takimit me Kryeministrin Sali Berisha. Z. Molas vuri në dukje se qytetarët spanjollë ndihen krenarë për mbështetjen që po i japin Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë për të ecur përpara në projektin e tyre për integrim në Bashkimin Evropian, të cilin shqiptarët e meritojnë plotësisht. Më tej, zv.kryetari i Senatit të Spanjës, z. Isidre Molas, vlerësoi marrëdhëniet politike shumë të mira midis dy vendeve, dy parlamenteve, dy qeverive, si dhe falënderoi Kryeministrin Berisha për kontributin e tij në këtë kontekst. Zv.kryeparlamentari, z. Isidre Molas, u shpreh se Spanja mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Më tej, z. Isidre Molas i shprehu Kryeministrit Berisha vendosmërinë dhe gatishmërinë e Spanjës dhe institucioneve të këtij vendi për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha fushat, si dhe për t’i ofruar Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare mbështetjen dhe çdo ndihmë për të cilën ajo do të kishte nevojë.