E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reuters dhe Forbes: Shqipëria, e vetmja në Ballkan me rritje ekonomike



Vendet e Ballkanit mund të kenë ndier më të fundit impaktin e krizës globale e si rrjedhojë do të kenë një rimëkëmbje më të vonë, përveç Shqipërisë. Këtë vlerëson agjencia e lajmeve “Reuters” dhe revista “Forbes” duke cituar një studim të prezantuar nga Forumi Rajonal Ekonomik i Evropës Juglindore. Ekonomia shqiptare është e vetmja që ka pësuar rritje në kohë krize dhe ka tërhequr një fluks të qëndrueshëm investimesh të huaja. Vendet e tjera ballkanike ndërkaq janë akoma të kapluara nga kriza dhe kapërcimin e parë nga zeroja do ta kenë në vitin 2010, - tha profesori boshnjak Zlatko Lagumdzija. Studimi në fjalë përfshin edhe Kosovën, që pritet të ketë rritje ekonomike këtë vit. Studimi ka përmbledhur parashikimet ekonomike të agjencive ndërkombëtare financiare që thonë se GDP e Shqipërisë do të rritet me 0.7 për qind këtë vit dhe 2.2 për qind në vitin 2010. Duke e krahasuar aktualitetin me vitin 1989 kur komunizmi ra në Evropë, studimi vlerëson se Shqipëria dhe Sllovenia janë dy vendet ish-komuniste që kanë pësuar një rritje ekonomike deri në 60 për qind, ndërsa pjesa tjetër e Ballkanit ka shumë rrugë përpara për të arritur këtë nivel. Ekspertët vlerësojnë se çelësi i daljes nga kriza ekonomike për këto vende është bashkëpunimi rajonal. Në këtë kontekst Shqipëria po bashkëpunon me Bullgarinë, Bosnjën dhe Malin e Zi në infrastrukturë dhe projekte të mëdha energjitike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›