E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i ri i BE-së, Berisha uron Van Rompoj



Përmes një letre, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, përshëndeti dje në emër të qeverisë shqiptare Presidentin e ri të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompoj. Z. Berisha shprehu bindjen se nën udhëheqjen e Presidentit të ri, Bashkimi Evropian do të arrijë përparim të mëtejshëm, për një bashkim, gjithnjë e më të ngushtë të popujve të Evropës, bazuar në vlerat e lirisë, të demokracisë e të shtetit ligjor. Kryeministri i Shqipërisë vuri në dukje se shqiptarët kanë përcaktuar integrimin e vendit të tyre në Bashkimin Evropian si projektin më madhor kombëtar të këtij shekulli. Z. Berisha shfrytëzoi rastin të pohonte angazhimin e qeverisë shqiptare për të punuar ngushtësisht me Presidencën e re të BE-së, për të çuar përpara çështjet e axhendës integruese, konsolidimin e mëtejshëm të paqes, stabilitetit, sigurisë e bashkëpunimit në rajonin e Evropës Juglindore. “Kam ndjekur me kënaqësi e admirim karrierën Tuaj dhe mbetem me bindjen e thellë se me integritetin që ju karakterizon, kompetencën prej politikani me përvojë, me vizionin dhe besimin e palëkundur prej evropianisti të madh e të shquar, që keni dëshmuar në vijimësi, zgjedhja juaj në krye të Bashkimit Evropian shënon një ditë të lumtur për një të ardhme më të shkëlqyer të Evropës”, - shkruan Berisha. Më tej, në mesazhin e tij pohon: “Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që në këtë çast historik për Bashkimin Evropian dhe për mbarë kontinentin tonë, në këtë stacion kulmor për të gjithë ata që ëndërruan dhe iu përkushtuan idesë për një Evropë unike e të bashkuar, t’Ju dërgoj, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, në ditën e zgjedhjes Suaj me unanimitet të plotë President i parë i Këshillit Evropian, përshëndetjet më të përzemërta e urimet më të ngrohta e miqësore për sukses të plotë në misionin fisnik dhe në detyrat e rëndësishme, që shtrohen përpara jush. Qytetërimi evropian do ta kujtojë këtë ditë përherë si një ditë të shënuar në historinë moderne të tij”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›