Miting me kokoshka dhe loja me kamerat
Nëse kishte diçka me shumicë në mitingun e djeshëm të opozitës në kryeqytet, ato ishin kokoshkat. Katër a pesë makina ambulante që prodhonin pafund kokoshka me kripë, që u shiteshin aty për aty të ngrohta njerëzve që merrnin pjesë në miting, por që pak mund të merrnin vesh prej tij, pasi ishin vendosur dhe qëndruan përgjatë gjithë kohës shumë larg fonisë dhe qendrës së mitingut.
Loja me kamerat
Mitingu i opozitës që synon të detyrojë qeverinë të rihapë kutitë e votimit, fillonte diku përtej urës së Lanës, ku edhe ndodhej pjesa më e madhe e protestuesve rreth 5 mijë, por mjaft të tjerë prej këtyre të shpërndarë në grupe prej 5 deri 10 vetash dhe të vendosur në rreth duket se ishin organizuar të mbushnin pjesën nga ura e madhe deri pranë vendit ku bulevardi “Dëshmorët e Kombit” pritet nga rruga “Myslym Shyri”. Të vendosur në mënyrë të tillë që të “gënjenin” kamerat, grupet e protestuesve që nga banderolat me emrat e minibashkive dukeshin se i përkisnin bashkisë së kryeqytetit dhe më shumë ndërvepronin me njëri-tjetrin ndërsa u bënin xhiro makinave të kokoshkave dhe shitësve ambulantë të farave, sesa me mitingun. Të pyetur nga gazeta se përse nuk kishin qëndruar më afër pjesëtarë të këtyre grupeve mblodhën supet, ndërsa vetëm në njërin prej tyre disa gra thanë se ishin punëtore të pastrimit që prisnin të mbaronte mitingu për të fshirë bulevardin. Në fakt për nga dendësia e pjesëmarrësve, por edhe për nga entuziazmi mitingu i PS-së dhe aleatëve të saj në këtë protestë, ishte shumë larg atij që e njëjta forcë politike mundi të organizonte pak ditë para zgjedhjeve.
Probleme shifrash
Nga tribuna e vendosur në të njëjtin vend si në fund të qershorit, krerët e opozitës flisnin për 100 mijë pjesëmarrës që kishin mbushur bulevardin, por jo më shumë se një orë më vonë të pyetur nga televizionet private deputetët socialistë e përgjysmuan shifrën në 50 mijë. Sa ishin në të vërtetë pjesëtarë në miting? Numri është i vështirë të llogaritet, duke qenë se shpërndarja ishte e tillë që të krijonte idenë e një bulevardi të mbushur plot, kur më shumë se gjysma e tij ishte në të vërtetë bosh. Një agjenci e huaj lajmesh thotë se në miting nuk kishte më shumë se 3 mijë pjesëmarrës, shumë larg pretendimeve të opozitës, e cila prej një muaji ishte angazhuar e tëra në mbledhjen e sa më shumë personave në atë që duhej të ishte mitingu më i madh i protestës.
Ku është Stacioni i Trenit?!
Të gjithë që kanë bredhur ca në këmbë në Tiranë e dinë që stacioni i trenit është në fund të Bulevardit “Zogu I”, që vjen si vijim i atij “Dëshmorët e Kombit”, por Erjon Veliaj ndërsa mbante fjalimin e tij u kërkoi ndjesë atyre që nuk dëgjonin dot se ndodheshin te stacioni i trenit. Në të vërtetë, Veliaj dëgjohej me vështirësi edhe përtej Urës së Madhe të Lanës, ndërsa asnjë nga folësit dhe asgjë nga mitingu nuk dëgjohej në krah të Galerisë së Arteve. Për me tepër me gjithë dëshirën e madhe të Veliajt, që ndodhej në protestë si kreu i G99-ës, që t’u fliste atyre që ndodheshin te stacioni i trenit, asnjë protestues nuk ndodhej më larg sesa kryqëzimi në të mbaruar të galerisë, ku dukej se pjesa më e madhe ishin vendosur me urdhër për të bërë që sheshi të dukej i plotë, po ku askush nuk dëgjonte se çfarë thuhej nga tribuna e tij. Fatmirësisht deputeti i PS-së, Namik Dokle, që foli menjëherë pas Veliajt, e afroi fundin te statuja e Skënderbeut, duke korrigjuar në një farë mënyre kreun e G99-ës.
“S’marrim vesh nga politika”
Rama ishte i fundit që foli. Një fjalim që zgjati rreth një orë dhe që më shumë sesa brohërima u shoqërua nga largimi i një pjese të mirë të protestuesve. Në fjalimin e tij kreu i PS-së paralajmëroi se protesta nuk do të mbaronte aty, por do të vazhdonte edhe më tej dhe se do të përshkallëzohej deri sa të hapeshin kutitë ose të rrëzohej qeveria. Në fund të fjalës së tij, ai njoftoi se bashkë me një grup prej 2 mijë njerëzish të regjistruar do të qëndronin para Kryeministrisë për tri ditë me radhë. Të pyetur se si do t’ia dalin të qëndrojnë në këmbë, drejtues të opozitës thanë se ishin përcaktuar turne dhe njerëzit në miting do të ndërronin njëri-tjetrin herë pas here. Ndërkohë që Rama la tribunën dhe u bashku me turmën dhe bëri një xhiro deri pranë urës së madhe të Lanës, në tribunë rifilloi muzika që duhej t’i mbante të bashkuar protestuesit, por si për inat dhe ironi të asaj që ishte thënë për dy orë, një nga këngët që shoqëronte Ramën në bulevard ndër të tjera vinte në dukje: “S’kina haber fare ne për politikë”.