Molla e Kuqe 3
Filmi është financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) dhe është prodhim i Cak Consulting-Production. Ndryshe, Cak Consulting-Production ishte fitues në konkursin e QKK’së për vitin 2010, në zhanrin e filmit të animuar.
Brenda filmit që zgjat 8 minuta e 33 sekonda rrëfehet për një krimb, karakteri i të cilit është ndërtuar mbi bazën e vetive të gjindshmërisë dhe kureshtjes. Ai në shumë situata bën sjellje të çuditshme, dhe të paparashikueshme. Është personazh mjaft karakteristik, me syze, me veti elastike dhe reagon shpejt.
Krimbi jeton në një mollë të kuqe.
Duket që brendësia e mollës, krimbit i përgjigjet në çdo aspekt. E tillë mbetet situata deri në çastin kur një thikë e mprehtë i futet brenda në mollë. I frikësuar, ai ikë nga njëra anë në tjetrën, duke u munduar t’i shmanget thikës.
Pas shumë përpjekjeve, krimbi e ha një pjesë të mollës dhe del nga ajo. Pasi që molla ndodhet në një lavaman, krimbi nga molla kërcen në vrimat e lavamanit dhe, duke rrëshqitur nëpër gypat e lavamanit, bie në kanalizim. Në kanalizim ambienti është shumë i errët, gjë që për krimbin është një shqetësim shumë i madh. Aty has në shumë vështirësi, të cilat nuk mbarojnë lehtë…
Regjisor dhe animator i filmit, të bazuar në idenë e Rrezarta Gashit, është Mentor Berisha.