Na i ktheni eksponatet
Ekspozitat e ndryshme, kryevlerat e artit dhe eksponatet e ndryshme arkeologjike në Muzeun e Kosovës, bëjnë që brenda një viti atë ta vizitojnë rreth 60,000 qytetarë të ndryshëm nga vendi dhe bota.
Drejtuesit e këtij institucioni thonë se muzeu ofron mundësi të shumta që vizitorët vendorë dhe ata ndërkombëtarë të dinë më shumë për të kaluarën e lashtë të Kosovës.
Sali Arifi është njëri nga vizitorët e këtij muzeu. Ai thotë se shpeshherë e viziton këtë institucion, dhe se aty sheh eksponate shumë interesante.
“Muzeun e vizitoj shumë shpesh. Sa herë që ka ekspozita jam i rregullt. Më pëlqen shumë. Do të kisha veçuar gjëra shumë interesante të arkeologjisë, gjëra shumë të lashta dhe me vlerë, pastaj ekspozita tematike etj”, tregon Arifi për REL.
Arbër Hadri, drejtor i Muzeut të Kosovës, thotë se përpos eksponateve të ekspozuara, këtij muzeu i mungojnë edhe 676 eksponate arkeologjike dhe 571 eksponate etnologjike, që gjenden në Beograd, e të cilat janë rrëmbyer gjatë luftës dhe nuk janë kthyer më. Ai shpreh shqetësimin e tij lidhur me vonesat dhe që këto eksponate ende gjenden në Serbi, përderisa shton se deri tani është arritur që vetëm Hyjnesha në Fron të kthehet nga Beogradi, në vitin 2002.
”Është kthyer vetëm Hyjnesha në Fron, në vitin 2002. Kemi bërë kërkesa të pareshtura, në kontekstin e negociatave që ka pasur Kosova me Serbinë në Vjenë, dhe kjo kërkesë ka hyrë në Pakon e Ahtisaarit, pra, që këto eksponate duhet të kthehen. Presim që të hiqet petku politik, sa i përket trashëgimisë kulturore”, thekson Hadri.
Në anën tjetër, Haxhi Mehmetaj, arkeolog dhe drejtor i Institutit të Monumenteve dhe i Muzeut Rajonal të Prishtinës, thotë se çështja e eksponateve është më shumë politike. Sipas tij, kthimi i tyre duhet të bëhet sa më shpejtë që është e mundur, duke marrë parasysh, siç thotë ai, vlerën e tyre kulturore dhe peshën që kanë ato eksponate.
“Në vitin 1999 është marrë thesari arkeologjik i Kosovës, i cili tregon trashëgiminë arkeologjike që nga mijëvjeçari i shtatë para epokës sonë, e deri para epokës sonë, të shekullit XII-XIII. Thuhet se janë 677 eksponate, por duhet pasur parasysh se aty është bërë përzgjedhja e eksponateve arkeologjike që nga periudha e neolitit, gjegjësisht, mijëvjeçarit të gjashtë-shtatë para Krishtit, ato eksponate prezantojnë kulturat tona dhe paraqesin vlera tipike nëpër shekuj”, thotë Mehmetaj.
Ndërkaq, Hadri thotë se, eksponatet e ekspozuara në muze janë shumë atraktive dhe datojnë nga periudha e neolitit, 6,000 vjet para erës së re. Ai tregon se aty gjenden edhe objekte nga bronzi e hekuri të periudhës dardane - të shekullit IV para erës së re. Hadri sqaron se disa herë kanë marrë pjesë edhe në ekspozita ndërkombëtare, me eksponatet arkeologjike.
”Muzeu ka realizuar rreth 10 ekspozita muzeore. Në punën kërkimore realizojmë një sërë projektesh të natyrës arkeologjike në Kosovë, punës kërkimorë historike, artit, si dhe studimin e koleksionit. Si partner me Muzeun e Londrës, kemi pasur bashkëpunim të mirë dhe kemi mbajtur ekspozitë atje. Tani jemi në negociata dhe pritet të kemi një bashkëpunim edhe me Muzeun Arkeologjik të Francës, në Paris, ku po ashtu shpresojmë ta realizojmë një ekspozitë”, shpjegon Hadri.
E, Mehmetaj shpreh shqetësimin e tij, duke thënë se që nga paslufta janë ndërmarrë shumë veprime që thesari që gjendet në Serbi të kthehet në Kosovë, mirëpo ato kanë rezultuar të pasuksesshme. Sipas tij, kjo çështje duhet të sensibilizohet edhe ndërkombëtarisht, dhe t’iu bëhet presion vendimmarrësve në Serbi, në mënyrë që eksponatet të kthehen në Muzeun e Kosovës. Aty ku edhe e kanë vendin.