Moment delikat per ekonomine spanjolle

Rezultatet ekonomike spanjolle flasin për një gjendje recesioni. Sipas të dhënave zyrtare në tremujorin e parë të vitit ekonomia e Spanjës ka regjistruar një rënie me 0,4% për të dytin tremujor radhazi, pas rënies në periudhën e fundit të vitit të kaluar me 0,3%. Bazuar në këto të dhëna situata aktuale e Spanjës përcaktohet në një recesion teknik. Ministri i Financave Montoro ka deklaruar se Spanja gjendet në një moment ekstremisht delikate, në një moment ekstremisht të dobët, ku tregjet dyshojnë në aftësitë e qeverisë për aplikim e programit të konsolidimit fiskal në një kontekst të ngushtë. Duke folur përpara deputetëve të mbledhur për analizën e buxhetit të 2012-ës, Montoro shprehet se ky buxhet ka si qëllim rikthimin e besimit ndaj shoqërisë spanjolle, të partnerëve europianë ndaj Spanjës dhe besimin e tregjeve. Edhe komisioneri për cështjet e konkurrencës në BE, Joaquin Almunia ka deklaruar se Europa e sheh me shqetësim situatën në Spanjë, e cila zyrtarisht ka hyrë në recesion në tremujorin e parë të vitit, por në të njëjtën kohë komisioneri përgëzon refromat e kryera deri tani nga qeveria spanjolle. BE po vëren me kujdes dhe shqetësim të gjitha vendet që kanë vështirësi ekonomike dhe Spanja nuk është i vetmi vend që ka probleme. Sipas Almunias Spanja është në rrugën e duhur për realizimin e reformave dhe po realizon me vendosmëri programin e reduktimit të deficitit publik. Nëse Spanja do të përballë vështirësitë Europa do të dalë mirë nga kjo situatë ka thënë komisioneri europian. Spanja ka nevojë për më shumë kohë për të realizuar objektivat e saj në uljen e deficitit në 5,35% për këtë viti dhe 3% në vitin 2013 duke ndjekur rregullat e stabilizuara nga BE, ka thënë Almunia.