elsi finalisti i Champions League

Çelsi është finalisti i parë e këtij sezoni në Champions League. Blutë e drejtuar nga trajneri Di Mateo kanë bërë surprizën duke eliminuar favoritët e Barcelonës. Gjysmëfinalja në “Kamp Nou” përfundoi në barazim 2-2 dhe spanjollët i japin lamtumirën aktivitetit më prestigjioz për klube, ndërsa anglezët do të luajnë në finalen e 19 majit në Mynih. Barça kaloi e para në avantazh me rrjetën e realizuar nga Serxhi Buskets, kur kronometri tregonte 35 minuta lojë, ndërsa më pas gjithçka u duk e lehtë për Barcelonën, edhe sepse Çelsi mbeti në inferioritet numerik pas kartonit të kuq të Xhon Territ, për një goditje pa top me gju ndaj Aleksis Sançez. Në të 43-tën, katalanët dyfishuan shifrat me Andres Iniestën, por në momentin kur skuadra e Pep Guardiolës dukej e kualifikuar, Çelsi arriti të shënonte me Ramirez në sekondat shtesë të pjesës së parë të takimit. Katalanët kanë pasur shansin të shënonin edhe golin e tretë dhe të siguronin kualifikimin, por Lionel Mesi ka shpërdoruar një 11-metërsh në fillimin e fraksionit të dytë të lojës, duke e dërguar topin në traversë dhe më pas u frenua nga shtylla. Në fund është Fernando Torres ai që barazon, me Barçën që ishte e gjitha në sulm, në kërkim të golit të tretë, por kjo ishte e pamundur me anglezët të rreshtuar të gjithë në mbrojtje.