E Shtunë, 31 Tetor 2026

Momente të lavdishme të vendit tonë. Përkrah superfuqive botërore


Shqipëria sot dhe nesër do të përjetojë një ndër ditët më të lavdishjme të saj. Flamuri ynë do të ngrihet mes shteteve më të fuqishme të botës, çka do të thotë se ardhmja jonë është më e sigurtë, më e mirë dhe më qetë. Një ëndërr e thënë me nga vetë kreu i mazhoramcës këtu e 18 vjet më parë, në ditën kur shqiptarët pritën Xhejms Bejker në Tiranë. Prej asaj ditë kanë kaluar shumë kohë, por premtimi i tij se Amerika do të ishte në krahun tonë mbëhet ende sot. Nesër një flamur i kuq me një shqiponjë të zezë do të ngrihet në Strasburg, përkrah flamurit të 50 yjeje, flamurit Gjerman, Francez, Anglez, etj. Kohët ndryshuan, pak vite më parë avjonët e NATO-s gjëmonin mbi qiejtë shqiptarë, sot ne jemi pjesë e këtyre skuadriljeve.


Krerët më të lartë të shtetit nisen sot për në Strasburg, për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga NATO me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë. Në krye të delegacionit që do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s është Presidenti i Republikës Bamir Topi i cili do të mbajë fjalën përshëndetëse në prag të anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në këtë organizëm. Në delegacionin zyrtar të Shqipërisë do të jenë përveç Presidentit Topi do të jenë Kryeministri Berisha, Kryeparlamentarja Topalli, Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, dy kryetarët e grupeve parlamentare të PS-së dhe PD-së. Samiti i NATO-s përshkon me 60 vjetorin e krijimit të saj dhe Shqipëria në këtë samit do të bëhet zyrtarisht anëtare me të drejta të plota.


Qytet organizatore të samitit të NATO-s


Strasburgu dhe Baden-Baden janë qytetet organizatore të samitit të NATO-s me rastin e 60-vjetorit të krijimit të saj. Më poshtë vijojnë të dhëna kryesore për këto dy qytete: Strasburgu është qyteti kryesor i rajonit të Alzasës, në verilindje të Francës. Ai ka 702 412 banorë dhe qendra e tij metropolitane renditet e nënta në vend. 


Qyteti gjendet pranë kufirit me Gjermaninë.


Strasburgu është selia e disa institucioneve të rëndësishme evropiane si Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian dhe Avokati i Popullit i Bashkimit Evropian.  Ky qytet është qendër e rëndësishme industriale dhe inxhinierike si edhe qendër e njohur komunikimi rrugor, hekurudhor dhe lumor. Porti i Strasburgut është porti i dytë më i madh në brigjet e Rinit, pas atij gjerman të Duisburgut. Strasburgu është pjesë e pandarë e kulturës franko-gjermane dhe një urë bashkimi mes Parisit dhe Berlinit për shekuj të tërë për shkak të universitetit të tij dhe të bashkekzistencës mes katolikëve dhe protestantëve. Në vitin 1931, qytetit të Baden-Badenit iu dha ky emër për ta dalluar nga qytetet e tjera Baden bei ëien dhe Baden im Aargau. 


Gjatë dy luftërave botërore, qyteti i shpëtoi shkatërrimit.


Pas Luftës II Botërore, Baden-Baden u bë selia e forcave franceze në Gjermani.


Nën kontrollin e Forcave Ajrore Franceze, u ndëtua një aeroport ushtarak në Baden-Söllingen mes të ashtuquajturit Pylli i Zi dhe lumit Rin, 15 kilometa në perëndim të Baden-Badenti.


Në vitin 1953, njësi të Forcave Ajrore Mbretërore Kanadeze u dislokuan në Baden-Soellingen. 


Gjatë viteve '90, baza ajrore u shndërua në aeroport civil ''Baden Airpark''.


Samiti Jubilar i Aleancës së Atlantikut të Veriut, ku Shqipëria dhe Kroacia do të bëhen anëtare me të drejta të plota në NATO, do të zhvillohet për herë të parë në historinë e krijimit të Aleancës në dy shtete, në  Francë dhe Gjermani. 


Ceremonia e mirëseardhjes do të zhvillohet sot nga ora 17:30 deri në orën 21:00.


Dita e dytë e punimeve të këtij samiti (4 prill), do të nisë në orën 08.45 me ceremoninë e kalimit të urës mbi lumin Rehn, dhe do të vijojë me takimin e liderëve me Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe më pas me Presidentin Nikolas Sarkozy. 


Më pas do të bëhet nisja për në Pallatin e Kongreseve ku do të zhvillohet seanca plenare e Këshillit të Aleancës dhe ku pritet të përshëndesin personalitetet më të larta të vendit, kancelarja gjermane Merkel, Presidenti francez Sarkozy dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.  Seanca pritet të përfundojë rreth orës 12.45, ku Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Scheffer do të zhvillojë një konferencë për shtyp. Rreth orës 15:00, Kryeministri Sali Berisha do të zhvillojë një konferencë për shtyp, ku do të marrin pjesë të gjitha mediat e akredituara pranë Samitit të NATO-s. 


Siguria në të cilën po zhvillohet 60 vjetori i NATO


Samiti i NATO-s që zhvillohet sot dhe nesër në Strasburg (lindje) dhe në qytetet gjermane Kehl dhe Baden-Baden ka mobilizuar nga pala franceze 9 000 policë dhe xhandarë, ndërsa priten të manifestojnë 35 000 - 40 000  vetë sipas Ministrisë së Brendshme. Në Strasburg, 6 200 anëtarë të Forcës Republikane të Sigurisë, 900 policë të Sigurisë Publike dhe 800 xhandarë janë ngarkuar me sigurinë e 2 000 personaliteteve dhe 80 qendrave të klasifikuara si "të ndjeshme" (hotele për delegacionet, Pallati i Kongreseve ku do të mblidhen kryetarët e qeverive, lagja e katedrales dhe Pallati Rohan). Tridhjetë kilometra pengesa metalike janë vendosur që dje në mbrëmje, ndërsa rreth njëqind vende publike (muze, shkolla, administrata, universitete, opera, teatro) janë mbyllur. Afro  40.000 persona që banojnë në zonat e kuqe dhe portokalli që mbulojnë gjysmën e qendrës së qytetit duhet të qarkullojnë me bexhet e identifikimit. Hyrja në katër zonat e rrethuara bëhet nga njëra prej pesëmbëdhjetë pikave të kontrollit.  Në qendër të qytetit, dispozitivi i sigurisë është forcuar nga afro njëzet njësi të GIPN të Strasburgut (Grupi i Nërhyrjes së Policisë Kombëtare) dhe 50 elementë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Jashtë Strasburgut, afro 40 xhandarë të njësive elitë franceze GIGN dhe njëqind policë të njësisë gjermane GSG9 janë vendosur në një platformë të përbashkët mbi Rin, gati për të ndërhyrë . Tre helikopterë "Puma" do të mbikëqyrin nga lart manifestimet anti-NATO në lagjen e Portit të Rinit. Hapësira ajrore, është nën "mbikëqyrje" të lartë, dhe pjesa e krijuar mbi tre qytetet që organizojnë samitin do të patrullohet nga radarët aeroportualë dhe avionët "Aëacs". Gjashtë avionë "Tucano" qëndrojnë gjithashtu gati për t'u ngritur nga qyteti i Colmarit. Një bateri antiajrore është vendosur gjithashtu në aerodromin e Poligonit, ku qendrojnë helikopterët e Forcave Ajrore Franceze. Kjo bateri përbëhet nga dy qendra për lëshimin e raketave "Crotale" dhe zbuluesve me kamera termike.  Nga ana tjetër e Rinit, Gjermania ka mobilizuar  15 000 policë dhe 600 ushtarakë.


Siguria është themeli mbi të cilët sot ngrihet begatia


"Siguria është themeli mbi të cilën ngrihet begatia dhe sot më shumë se kurrë, siguria mund të ndërtohet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit shumëkombësh", shprehet Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.  Në një artikull me rastin e Samitit  të 60 Vjetorit të themelimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, i cili është shpërndarë sot nga zyra e shtypit pranë MPJ-së, zoti Schefer ndalet te kriza globale ekonomike, duke theksuar se "ky problem i kapërcen kufijtë kombëtarë dhe kërkon zgjidhje shumëpalëshe. Qeveritë po hedhin qindra, miliarda në tregje, ato po intensifikojnë nivelin e rregullimit dhe mbikqyrjen e tregut. Gjithashtu ato po punojnë për bashkërendimin e veprimeve të tyre, duke përfshirë dhe Takimet e G – 20, që sapo ka përfunduar në Londër", shprehet zoti Scheffer. Edhe pse shumë prej liderëve të këtyre vendeve kanë ardhur në Samitin e NATO-s për të folur mbi sigurinë, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës u shpreh se "nuk bëhet fjalë për ndryshim tërësor të tematikës". "Përfytyroni se ç’mund të ndodhte me sistemin financiar ndërkombëtar, sikur të bëhej një sulm tjetër terrorist në njërin prej qyteteve tona. Çdo të ndodhte me investimet dhe rritjen ekonomike, në rast se do të kërcënohej tranzitimi i lirë i energjisë dhe çdo të ndodhte me ekonomitë nëse do të bëheshin objekt i ndonjë sulmi kibernetik nga i cili Estonia e pësoi dy vjet më parë", shprehet Scheffer në artikullin e tij. Ai thekson se, një nga objektivat e Samitit të NATO-s, është "përcaktimi i një rruge të përbashkët për të ardhmen e Afganistanit".  Liderët e NATO-s, thotë ai, do të diskutojnë gjithashtu edhe mbi një mënyrë të përbashkët veprimi në të ardhmen lidhur me një element tjetër kritik të sigurisë gjatë Shekullit të XXI: krijimin e një partneriteti të vërtetë me Rusinë. "Nuk përbën sekret fakti që kur vjen puna për Rusinë, brenda NATO-s ka një gamë të gjerë pikëpamjesh, që fillojnë nga mendimi për të qenë të kujdesshëm deri tek prirja për përulje. Deri sa të mos kemi ngushtuar këtë hendek, do të jetë gjithnjë e vështirë për të angazhuar efektivisht Rusinë, si kur merremi, ashtu dhe kur nuk merremi vesh me të", shprehet zoti Scheffer në artikullin e tij. Një sfidë tjetër e vërtetë e Samitit do të jetë edhe fillimi i përgatitjeve të sotme për sfidat me të cilat mund të ndeshemi nesër. Liderët e Aleancës do të miratojnë Deklaratën e Aleancës mbi Sigurinë, e cila jo vetëm që do të afirmojë detyrën thelbësore të NATO-s, por dhe do të përcaktojë në vija të përgjithshme se çfarë duhet të bëjë NATO në të ardhmen. "Aleatët do të mirëpresin me ngrohtësi vendimin e Presidentit Sarkozi që Franca të zërë sërish plotësisht vendin e saj në NATO. Shqipëria dhe Kroacia do të zenë vendet, të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre si anëtaret e 27 dhe 28 të Familjes së NATO-s", shpreh Scheffer në artikullin e tij. Gjatë Samitit do të bëhet edhe festimi i 60 vjetorit të themelimit të NATO-s.  NATO është gjallë dhe vitale, sepse asaj i duhet të kryejë detyrën e saj unike: të jetë vendi ku Europa dhe Amerika e Veriut qëndrojnë së bashku, konsultohen së bashku dhe  veprojnë së bashku për të garantuar sigurinë e tyre të përbashkët. Pikërisht ky rol do të riafirmohet dhe forcohet edhe më tej në Samitin e kësaj fundjave.


Artikulli i Jaap de Hoop Scheffer me rastin e 60-vjetorit të krijimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut


“Me të drejtë, kriza globale ekonomike ka qenë për muaj të tëra lajm i faqeve të para. Qeveritë po hedhin qindra miliarda në tregje, ato po intensifikojnë nivelin e rregullimit dhe mbikqyrjen e tregut. Gjithashtu ato po punojnë për bashkërendimin e veprimeve të tyre, duke përfshirë dhe takimet e G-20, që sapo ka përfunduar në Londër, pasi është e qartë si kristali, se ky problem i kapërcen kufijtë kombëtarë dhe kërkon zgjidhje shumëpalëshe. 


Shumë prej këtyre liderëve kanë ardhur në Samitin e NATO-s në Strasburg dhe Kehl për të folur mbi sigurinë. Por këtu nuk bëhet fjalë për ndryshim tërësor të tematikës. Përfytyroni se ç’mund të ndodhte me sistemin financiar ndërkombëtar, i brishtë siç është ai sot, sikur të bëhej një sulm tjetër terrorist në njerin prej qyteteve tona. 


Çdo të ndodhte me investimet dhe rritjen ekonomike, në rast se do të kërcënohej tranzitimi i lirë i energjisë? Dhe, a do të ishin në gjendje ekonomitë që po luftojnë për të mbajtur ingranazhet e tyre në lëvizje të shmangnin dëmet serioze nëse do të bëheshin objekt i ndonjë sulmi kibernetik nga i cili Estonia e pësoi dy vjet më parë? 


Këto janë shqetësime reale. Siguria nuk është një çështje fakultative, pra diçka pa të cilin ju mund të jetoni kur ka shtrëngesë parash. Siguria është themeli mbi të cilën ngrihet begatia jonë.      


Dhe, ashtu si ekonomia, sot më shumë se kurrë, siguria mund të ndërtohet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit shumëkombësh. Kjo është arsyeja pse Samiti i NATO-s është më shumë se një festë. Ai është një takim ku udhëheqësit e  Aleancës duhet t’i kryejnë gjërat. 


Para së gjithash, ata do të duhet të përcaktojnë një rrugë të përbashkët për të ardhmen e Afganistanit. Kanë kaluar 8 vjet nga koha kur talibanët u hoqën nga pushteti dhe kur një numër grupesh terroriste, nga të cilët më famëkeqi al-Kaeda humbën strehën e tyre të sigurt. Qysh nga ajo kohë ka mjaft përparime; po rikthehet jeta normale në vendet ku më parë nuk ka kishte diçka të tillë, gratë kanë liri që nuk i kanë patur më parë si dhe kanë zenë vendin e tyre në jetën publike, ndërkohë që për terroristët në Afganistan nuk ka paqe. 


Por, një vlerësim i ndershëm do të vinte gjithashtu edhe në përfundimin se ne nuk jemi ende aty ku do të kishim dashur të ishim tani. Rebelimi në Afganistan dhe përgjatë kufirit me Pakistanin vazhdon; korrupsioni dhe trafiku i narkotikëve janë bërë sëmundje kronike, ndërsa përpjekjet në kuadrin e ndihmës ndërkombëtare janë mjaft të copëzuara. Ne duhet të punojmë për rezultate më të mira, përpara se durimi i bashkësisë ndërkombëtare dhe i popullit afgan të venitet. 


Muajt e kaluar, presidenti Obama ka zhvilluar konsultime të gjera me aleatët, ndërsa SHBA ka rishikuar qasjen e saj tërësore ndaj kësaj sfide, duke e përfshirë atë në doktrinën amerikane. Samiti ynë na jep mundësinë për një shkëmbim të plotë idesh, por dhe, siç shpresoj unë, për arritjen e një konsensusi mbi një kurs të përbashkët të Aleaancës për të ardhmen, duke mbajtur parasysh qasjen e re amerikane – më shumë mbështetje për Pakistanin, përpjekje shumë më të mëdha për fuqizimin e policisë,  bashkërendim më të mirë të ndihmës dhe hapa transparente nga ana e qeverisë afgane në luftën ndaj korrupsionit. 


Liderët e NATO-s do të diskutojnë gjithashtu edhe mbi një mënyrë të përbashkët veprimi në të ardhmen lidhur me një element tjetër kritik të sigurisë gjatë Shekullit të XXI: krijimin e një partneriteti të vërtetë me Rusinë. Ndërmjet ka shumë më tepër gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku dhe me përfitime të përbashkëta, duke përfshirë Afganistanin, mbrojtjen raketore dhe terrorizmin. 


Edhe në këto fusha ka shumë vend për përmirësime nga të dyja palët. Nuk përbën sekret fakti që kur vjen puna për Rusinë, brenda NATO-s ka një gamë të gjerë pikëpamjesh, që fillojnë nga mendimi për të qenë të kujdesshëm deri tek prirja për përulje. Deri sa të mos kemi ngushtuar këtë hendek, do të jetë gjithnjë e vështirë për të angazhuar efektivisht Rusinë, si kur meremi, ashtu dhe kur nuk merremi vesh me të. Duke thënë këtë, është e nevojshme që edhe Rusia të vendosë nëse e njeh dëshirën e NATO-s për partneritet, apo do të vazhdojë ta shohë NATO-n përmes prizmit të Luftës së Ftohtë, të cilën e kemi lënë pas me kohë. 


Një sfidë tjetër e vërtetë e Samitit do të jetë edhe fillimi i përgatitjeve të sotme për sfidat me të cilat mund të ndeshemi nesër. Liderët e Aleancës do të miratojnë Deklaratën e Aleancës mbi Sigurinë, e cila jo vetëm që do të afirmojë detyrën thelbësore të NATO-s, por dhe do të përcaktojë në vija të përgjithshme se çfarë duhet të bëjë NATO në të ardhmen. Unë shpresoj se ajo do të lançojë gjithashtu edhe procesin e rishikimit thelbësor të Konceptit Strategjik të NATO-s, një prej dokumentave më të rëndësishëm udhërrëfyes të Aleancës, me synim arritjen e një marrëveshje ndërmjet aleatëve mbi atë që NATO duhet të bëjë në Shekullin e XXI, duke përfshirë dhe mbrojtjen tonë kibernetike apo sigurinë energjitike – fusha këto ku besoj se NATO duhet të bëjë më shumë për të shtuar vlerën e saj unikale. 


Eshtë e qartë se për 28 liderët e NATO-s do ketë shumë punë për të bërë gjatë këtij takimi relativisht të shkurtër. Megjithatë, kjo nuk do t’i shkëpusë ata nga disa festime të rëndësishme. Aleatët do të mirëpresin me ngrohtësi vendimin e Presidentit Sarkozi që Franca të zerë sërish plotësisht vendin e saj në NATO. 


Shqipëria dhe Kroacia do të zenë vendet, të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre si anëtarët e 27 dhe 28 të familjes së NATO-s. 


Gjatë Samitit do të bëhet edhe festimi i 60 vjetorit të themelimit të NATO-s. Një gazetar kolumnist ka shkruar se “Kur Aleancat fitojnë, ato vdesin” Por NATO është gjallë dhe vitale, sepse asaj i duhet të kryejë detyrën e saj unike: të jetë vendi ku Europa dhe Amerika e Veriut qëndrojnë së bashku, konsultohen së bashku dhe të veprojnë së bashku për të garantuar sigurinë e tyre të përbashkët. Pikërisht ky rol do të riafirmohet dhe forcohet edhe më tej në Samitin e kësaj fundja.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›