E Diel, 1 Nëntor 2026

“Tragjedia çame”, një libër që troket në ndërgjegjen greke

Autori i Lajmit: red.
Libri i Prof.Dr. Beqir Metës “Tragjedia çame” jo me gjuhën e letërsisë, por me atë të historisë së vërtetë, troket fort në ndërgjegjen e grekëve të sotëm, të historianëve, intelektualëve, klasës politike të këtij vendi fqinj. Janë ata, që ose e kanë shtrembëruar ose vazhdojnë edhe sot të fyejnë mijëra viktima të pafajshme, duke i përbaltur ata dhe popullsinë krenare të Çamërisë. Populli grek ka nevojë të mësojë këto të vërteta të hidhura. Libri i Prof.Dr.Beqir Metës duhet përkthyer në gjuhën greke, që populli grek dhe rinia e këtij vendi të mos vazhdojë të shohë e t ú besojë “varreve bosh” apo alibive të propagandës së historianëve nacionalistë. Sepse, siç shkruan shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare : “ÇAMËRIA NUK ËSHTË NJË FANTAZMË QË NGRIHET PËR TË ERRËSUAR MIQËSINË MIDIS GREKËVE DHE SHQIPTARËVE, PËRKUNDRAZI, KUR POPUJT LEHTËSOJNË NDËRGJEGJEN E TYRE NGA PESHAT E VJETRA, ATA AFROHEN MË SHUMË DHE E DUAN MË SHUMË NJERI- TJETRIN”. Libri “Tragjedia çame” flet shumë e të ve në mendime. Kur Evropa e bota 10 vite më parë, pa në ekranet e TV masakrën e Raçakut në Kosovë, mbajti e mekur frymën nga përmasat e tragjedisë kosovare. Plaga çame është ende e hapur dhe tragjedia e saj ulëritëse. Prof.Dr.Beqir Meta me këtë libër e sjell Çamërinë me plagë dhe tragjike, por edhe me shpresën për të zgjidhur sa më shpejt të ardhmen e saj evropiane. Botimi edhe në gjuhën angleze i këtij libri, do ta bëjë më të njohur tragjedinë e Çamërisë për studjuesit e huaj dhe opinionin jashtë Shqipërisë. Prof.Dr.Beqir Meta, besnik i parimeve të së vërtetës historike dhe mbështetur në një dokumentacion të pasur, me logjikën e fortë prej historiani modern, jep në këtë vepër deduksione të rëndësishme, bindëse dhe të argumentuara. Kapitulli “Çamëria gjatë Luftës II Botërore”, është çelësi për të kuptuar epilogun e tragjedisë çame, prapaskenat, që u luajtën mbi një popullsi të pafajshme dhe faktorët, që çuan në genocidin e spastrimit etnik të Çamërisë. Ky është kontribut i padiskutueshëm i këtij libri dhe i Prof.Dr. Beqir Metës në historiografinë shqiptare e me gjerë. Në të, lexuesi i vemendshëm do të jetojë ditët dhe netët e ankthshme të Çamërisë. Aty lëvizin shtabet e Luftës dhe ushtritë e tyre si ato të EAM-it, Zervës, çetat e batalionet të partizanëve e të nacionalistëve çamë, shtabet e ushtrive italiane e gjermane, shtabet e aleatëve, përplasen ideologjitë, fryjnë erërat e acarta të nacionalistëve grekë, organizohen takime të fshehta, thuren plane ogurzeza, ka vrasje në pusira, jepen deklarata, që nga mbreti Zog e deri tek Mit hat Frashëri, formohen këshillat dhe mobilizohen mbi 2000 çamë, apo befas jepet urdhëri i shtabit gjerman për çarmatosjen e popullsisë dhe nën bekimin e miratimin e shtabit anglez, nis masakra e 26 qershorit 1944, në Paramithi.
Ky lajm është publikuar: 04/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›