E Shtunë, 31 Tetor 2026

Momentet konvencionale të politikës së Ramës në 2012-n

14-01-2012 / Redaksionale

Në mbledhjen e parë të grupit parlamentar socialist ra në sy dy gjëra. Fakti i parë është që kreu i PS, Edi Rama foli me një gjuhë të pastruar nga nofkat, ngase nuk përmendi as Saliun (Berisha), dhe as Ilirin (Meta). U mjaftua ta emërtonte “kryeministri i vendit”. Dhe fakti i dytë, interesimi dyshues për ecurinë e reformës zgjedhore. Me sa duket, Ramën e paskan kapur ethet e parakohshme të reformës zgjedhore. Sepse janë të paktën tre momente konvencionale këtë vit të ri që flasin për një interesimin të jashtëzakonshëm të kreu të Partisë Socialiste. Së pari: nesër PS-ja shpall zyrtarisht nisjen e vitit elektoral, i cili përfundon në zgjedhjet parlamentare të 2013. Së dyti: kjo shpallje paraprihet nga takimi i parë për këtë vit me aleatët e majtë, me të cilët Edi Rama diskutoi mbi procesin e reformës elektorale dhe mundësitë për plotësimit të 52 rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Dhe së fundmi dje, Edi Rama në mbledhjet e grupit parlamentar socialist iu “lut” kryeministrit Berisha për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, si një punë dobiprurëse për vendin.
Këtë lutje kreu i PS-së e bëri pasi urdhëroi një ditë më parë Gramoz Ruçin të “ngrijë” marrëveshjen për votimin e ligjeve me 3/5 (në Kodin Civil, Kodin Penal dhe ligji për Gjykatën Administrative), aq të nevojshme për integrimin europian. Prandaj presioni i mosvotimin kishte si qëllimin propozimin e mbylljes së reformës zgjedhore “duam reformë brenda afatit të përcaktuar”, siç tha dje. Sipas Ramës reforma zgjedhore duhet të adresojë domosdoshmërishit rishikimin e sistemit, jo domosdoshmërish me ndryshime në Kushtetutë. Dhe është Kushtetuta ajo që bezdis jo pak shkencëtarët elektoralë të PS-së, të cilët i kanë shpjeguar Ramës se kryeministri Berisha është i favorizuar në çdo zgjedhje që mund të bëhet pa ndryshuar bazamentin e këtij kodi elektoral. Kur Edi Rama propozoi sistemin aktual rajonal mendonte se kish gjetur mënyrën për të fikur rëndësinë elektorale të LSI-së. Synimi i personal i Ramës ishte të vështirësonte sa mundej hyrjen në Parlament të Ilir Metës dhe kandidatëve të LSI. Kjo urrejtje nistore e Ramës ndaj LSI, e që u ndesh me makinën e fortë elektorale të PD, solli rezultatin e pritshëm të humbjes së Ramës dhe fitores së më shumë mandateve nga ana e Partisë Demokratike.
Sakaq, Edi Rama jo vetëm gjeti alibinë e jashtme të vjedhjes së votave, por edhe alibinë e brendshme, që ishte se Kastriot Islami (ish-sekretari për çështjet zgjedhore në PS dhe sot deputet i pavarur) ia kish propozuar kodin elektoral me sistemin e proporcionalit rajonal dhe listat e mbyllura. Enturazhi i Ramës qarkulloi thashethemin komplotist se “ishte Islami që na shiti tek Saliu”, me sistemin proporcional rajonal. Me këtë gënjeshtër u ngopën militantët dhe anëtarësia e PS-së, e cila e dënoi “tradhtarin” me një përjashtim nga partia.  Me këtë gënjeshtër u qetësuan edhe krerët e partive të vogla, të cilëve iu tha se “tradhtari Islami” ishte promotori i largimit të tyre nga parlamenti. Mirëpo për humbjen e dy palë zgjedhjeve nuk është fajtor Kastriot Islami, por Rama që është i papranueshëm nga maxhoranca e qytetarëve.
Sido që të jetë, Edi Rama kërkon të japë idenë se është gati për t’u bërë kryeministër dhe vetëm kodi zgjedhor e pengon realizimin e kësaj ëndrre. sigurisht, kodi zgjedhor ka rëndësi që i takon në fushëbetejën politike, por është programi, ideja, alternative qeverisëse që galvanizon njerëz që japin votën për një projekt të ri. Deri më sot Rama është mjaftuar të demonizojë kundërshtarin dhe të ofrohet si njeriu shpëtimtar me fjalë të bukura. Me 8 maj të vitit të kaluar kjo politikë pa ide dhe pa projekt u ndëshkua jo vetëm në Tiranë, por dhe në të gjithë Shqipërinë, ngase koalicioni aleanca për qytetarin e kryesuar nga kryeministri Berisha fitoi mbi 142 mijë vota më shumë kundrejt koalicionit të Ramës.          

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›