E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama ngujohet tek Barrikada Anti-Bruksel

14-01-2012 / Gazeta 55

Kreut të PS i rëndohet Sindroma e Janarit. Dje ai konfirmoi politikën e barrikadës ndaj reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian si ambicia politike, deri në zgjedhjet e ardhshme. Përpjekja për të marrë pushtet në tavolinë paraqitet si oferta imorale politike e Edvinit, por të çudit përzgjedhja për të zbatuar taktikat e shantazhit, edhe pse ato dështuan në vitin që lamë pas

Padyshim që muaji janar në psikologjinë e Edi Ramës përbëhet nga ethet e dhunës dhe krijimit të klimës armiqësore, për interesa të ngushta politike.
Dy ditë më parë PS paralajmëroi Kuvendin se dialogu mund të thyhet me një “fjalë goje” të Gramoz Ruçit, i cili s’e ka shumë të vështirë të refuzojë kalendarin e Kuvendit, me qëllim zvarritjen e reformave.
Pavarësisht se, pjesë e korpusit të reformave janë rekomandime të ndërkombëtarëve, të cilat mbeten “çelësi” i suksesit, për integrimin e vendit në BE, Partia Socialiste shfaq anën e saj negative, të paqëndrueshmërisë së brendshme politike dhe krijimit të artificave naive, krejt absurde. Kësisoj, PS kërkon që ligjet që kërkojnë tre të pestat e votave të deputetëve, që kanë mbetur ende pa u votuar në Kuvend, duhet të kalojnë përmes rishikimit nga ana e ligjvënësve.
Një ditë pas mbledhjes së kryetarëve të grupeve parlamentare, ku nuk u gjet konsensusi për miratimin e kalendarit të punës së Kuvendit, kryesocialisti Edi Rama, dje në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, theksoi se këto ligje duhet të kalojnë përmes një procesi transparent.
“Draftet e përgatitura nga qeveria, kryesisht korrigjime të nxitura të ligjeve ekzistuese, janë si batanije të vjetra ushtarake të mbushura me armë. U bë një punë e mirë edhe pse e pamjaftueshme me kodet që kaluam fund vitin e shkuar. Grupi i ri i punës po punon çdo ditë me projektet që do të miratohen në vijim, për të cilat ne do japim votën tonë duke kërkuar vijimësisht që deri në seancën e Kuvendit, ato të kalojnë përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës”, tha ai.
Duket qartë se kryesocialisti s’ka as sensin e moralitetit për t’u treguar dinjitoz, për respektimin e marrëveshjes së nënshkruar mes mazhorancës dhe opozitës, më 14 nëntor 2011. Konsensusi i arritur fund vitin e kaluar, parashikon miratimin e ligjeve me 3/5 sipas një kalendari të diskutuar dhe miratuar nga Fatmir Xhafaj dhe Gramoz Ruçi me kolegë të mazhorancës dhe 3 ligjet e “bllokuara” nga PS, Kodi Civil, Penal dhe ngritja e Gjykatës Administrative, janë parashikuar të kalojnë në Kuvend gjatë muajve janar-shkurt-mars. Me tentativën për të shtyrë kalendarin për këto 3 ligje, PS kërkoi qëllimisht që Shqipëria të paraqitej në mars para Brukselit, pa realizuar 12 rekomandimet e Brukselit. Dhe nga kjo, është e kuptueshme përgjigja e ndërkombëtarëve, për çështjen e statusit të vendit kandidat. Por, naiviteti politik i opozitës shkon edhe më tej.
Në mbledhjen e parë të grupit parlamentar socialist për vitin 2012, Rama u përqendrua edhe tek reforma zgjedhore, e cila sipas tij duhet të përfundojë brenda afateve.
Si të mos mjaftojë fakti që opozita ka në dorë eskluzivitetin e propozimit të ligjit të ri elektoral, Rama apeloi dje ndryshimin e sistemit, përmes ndërhyrjes në Kushtetutë! “Duam një reformë zgjedhore që të adresojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, për të zgjidhur problemet e vjetra, të numërimit të votave, të administratës zgjedhore. Duam një reformë zgjedhore që të adresojë domosdoshmërinë rishikimit të sistemit, qoftë duke e prekur, qoftë duke mos e prekur Kushtetutën e vendit”, tha midis të tjerash kryesocialisti Rama.
Përsëri, Rama bën “prapa - kthehu” për marrëveshje të firmosura me vetëdije të plotë, si puna e ndryshimit të Kushtetutës në vitin 2008, të cilën e kërkoi me ngulm. Ndryshimin e Kushtetutës Rama nuk e kërkon vetëm për nenin e zgjedhjes së Presidentit, por edhe për rishikimin e sistemit zgjedhor. Kjo tregon as më shumë e as më pak, ngërçin politik që përshkon opozitën dhe presionin e ashpër të klaneve të caktuara, të cilët i kërkojnë me domosdo arnimin e Kushtetutës për të shpëtuar nga pensioni politik. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›