E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monako prezanton blerjet, rritet konkurrenca në Francë

Ende pa filluar sezoni, në Francë vëmendjen kryesore tashmë e ka zënë klubi i Monakos, i cili vijon me blerjet cilësore, duke harxhuar deri tani mbi 250 milionë euro. Me qindra gazetarë kishin pushtuar sallën e konferencave të stadiumit “Luigji i Dytë” për ditën e prezantimit të Rikardo Karvajos, Jeremy Toulalan, Erik Abidal dhe të riut Nikolas Isimat Irin. “Qëllimi ynë është të shpallemi kampion. Projekti i klubit më duket shumë pozitiv dhe për zhvillimin e futbollit francez, që tashmë do të ketë dhe më shumë konkurrencë mes Paris Sent Zhermenit dhe Monakos”, - ka deklaruar Abidal, që u largua nga Barcelona.

Klubi francez ka shpenzuar shuma marramendëse në merkato për blerjen e lojtarëve, si Falkao, Joao Moutinjo, apo kolumbianit Xhejms Rodriguez. Vetë Karvajo është i ndërgjegjshëm që do të ketë shumë konkurrencë këtë vit brenda skuadrës, por pranoi se ai është gati për të përballuar çdo sfidë, teksa thotë: “Ndihem mirë dhe besoj se jam në vendin e duhur për të fituar. Kam luajtur në Portugali, Angli dhe Spanjë dhe tani po provoj dhe Ligën e parë franceze. Jam gjithashtu shumë i lumtur dhe për afrimin e Abidalit, sepse ai është një futbollist vërtet cilësor. Këtu ka shumë futbollistë të mirë, por unë nuk kam frikë nga konkurrenca, madje mendoj se ajo mund të na përmirësojë akoma më shumë”.

Tashmë pritet vetëm starti i kampionatit, ku Paris SG dhe Monako do të bëjnë ligjin në Francë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›