E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monedha vendase fiton 1,2 pikë ndaj USD

19/05/2009  Rritja gjatë javës që lamë pas, sipas agjencive të këmbimit valutor

Dje një dollar është blerë me 97,7 lekë dhe është shitur me 98,3 lekë

Monedha shqiptare, leku, ka vazhduar javën e fundit forcimin e lehtë ndaj monedhës amerikane, dollari. Gjatë ditës së djeshme në tregun valutor një dollar blihej me 97,7 lekë dhe shitej me 98,3 lekë. Monedha amerikane e nisi me rritje në fillim të këtij muaji, por prej disa ditësh ka nisur të humbasë pikë në këmbimet valutore. Sipas të dhënave nga agjencitë e këmbimit valutor në krahasim me një javë më parë, leku ka fituar 1,2 pikë kundrejt dollarit në shkëmbimet e monedhave. Ndërsa para një jave, sipas këtyre të dhënave, një dollar është blerë me 96,5 lekë dhe është shitur me 97 lekë. Në raport me fundjavën e kaluar, leku ka pasur rritje në këmbimet valutore kundrejt dollarit, pasi një dollar blihej me 97,5 lekë dhe shitej me 98 lekë. Dollari e kishte kuotën më të lartë në këmbimet valutore kundrejt lekut gjatë vitit të kaluar në muajin nëntor, kur blihej me 96,7 lekë. Ndërkaq, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, gjatë muajit mars 2009, leku pësoi një nënçmim kundrejt monedhës evropiane euros prej rreth 1.5 për qind dhe një mbiçmim kundrejt dollarit amerikan, me rreth 0.2 për qind krahasuar me muajin shkurt 2009. Sipas të njëjtit burim, në fillim të marsit 1 euro mund të shkëmbehej me 129.95 lekë dhe në fund të muajit 1 euro shkëmbehej me 131.01 lekë, ndërsa 1 USD shkëmbehej me 103.09 lekë në fillim të muajit mars dhe në fund të këtij muaji 1 USD shkëmbehej me 98.63 lekë. Kursi mesatar i këmbimit të lekut për muajin mars 2009 ishte kundrejt monedhës evropiane, euro 130.67 lekë/euro dhe kundrejt monedhës amerikane, USD 100.50 lekë/usd.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›