E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monedhat nën tabaka



Mbi 40 mijë monedha të llojeve të ndryshme të cilat sot kërcënohen nga kushte jo të favorshme konservimi si dhe mungesa e një stafi specifik për kujdesin e tyre. Ndonëse, një pjesë prej tyre sot gjenden të shpërndara në muzeumet e Shqipërisë, Bankën e Shtetit, apo laboratorin e konservimit ata nuk janë të restauruara dhe kanë probleme të vazhdueshme me ruajtjen e tyre. Ky është edhe shqetësimi që ngre shefi i laboratorit të konservimit dhe të arkeometrisë të qendrës së studimeve arkeologjike, Frederik Stamati, që është i vetmi person mbi të cilin peshon kjo përgjegjësi

Monedhat, zbulimet më të fundit që mbartin vlera historike nuk janë të mbrojtura. Gërmimet arkeologjike kanë mundësuar grumbullimin e mbi 40 mijë monedha të llojeve të ndryshme të cilat sot kërcënohen nga kushte jo të favorshme konservimi si dhe mungesa e një stafi specifik për kujdesin e tyre. Ndonëse, një pjesë prej tyre sot gjenden të shpërndara në muzeumet e Shqipërisë, Bankën e Shtetit, apo laboratorin e konservimit ata nuk janë të restauruara dhe kanë probleme të vazhdueshme me ruajtjen e tyre. Ky është edhe shqetësimi që ngre shefi i laboratorit të konservimit dhe të arkeometrisë të qendrës së studimeve arkeologjike, Frederik Stamati, që është i vetmi person mbi të cilin peshon kjo përgjegjësi. Sot, të gjitha monedhat e mbledhura nga zbulimet e arkeologëve apo të blera në popull gjenden në muzeumet e Durrës, Sarandë, Butrint, Fier, por pjesa kryesore, sipas specialistit Stamati, ruhet në kabinetin numizmatik të institutit të arkeologjisë, pranë qendrës së studimeve albanologjike. Këtu ai përfshin edhe monedhat e ndodhura në Bankën e Shqipërisë, ku gjenden rreth 700 të tilla që janë të parestauruara. Mbi këtë problem specialisti Stamati është shprehur se “Problemi më i madh lidhur me këtë çështje është se në asnjë prej muzeumet e Shqipërisë ne nuk i kemi konditat e ruajtjes së monedhave. Çdo njëra prej tyre duhet të ketë një lagështirë relative, një pastërti ajri, mbrojtje nga pluhurat etj., të cilat garantojnë ruajtjen e këtyre monedhave dhe të atyre parametrave kur reaksionet kimike të prishjes ndërpritet”. Ai tregon se deri më sot janë restauruar pothuajse gjysma e tyre, ndërsa pjesa mbetur është në proces restaurimi në laboratorin përkatës. Sipas tij këto monedha janë prej argjendi, por shumica prej tyre janë prej bronzi. Mes tyre ka edhe shumë me përbërje bakri si dhe bakër të argjenduar. “Ka shumë pak monedha prej ari, aq sa s’mund t’i marrësh në konsideratë. Monedhat prej bronzi dhe ato të argjendit kanë probleme të rënda për ruajtjen. Të tjerat ende jo, por këto që theksova kanë shumë probleme me këtë proces”, thotë ai. Ajo çka nevojitet në këtë raste janë objekte në formë tabakaje të cilat mbrojnë monedhat e restauruara nga faktorët e jashtëm. “Për momentin kushtet më të mira i kemi në kabinetin numizmatik, ku Shpresa Gjongecaj vitet e fundit ka bërë një punë jashtëzakonisht shumë të mirë pranë institutit arkeologjik për t’i sistemuar këto monedha nëpër tabaka. Këto të fundit janë të mbështjella me kadife, janë të pajisur me kapakë dhe vijnë nga Gjermania. Këto shërbejnë për të krijuar kondita që ne nuk i kemi parë në shumë muzeume të botës. Këto objekte u mundësojnë monedhave ndërprerjen me ajrin, oksigjenin apo lagështirën duke i siguruar ruajtjen”, pohon shefi i laboratorit të konservimit dhe të arkeometrisë të qendrës së studimeve arkeologjike.

Stafi

Është vetëm një person, ai që ka treguar interes për të kryer procesin e restaurimit të monedhave, profesor Frederik Stamati. Në një ditë të vetme ai arrijnë të pastrojë vetëm katër deri në pesë monedha në ditë, por nga ana tjetër ato janë mbi 40 mijë të tilla, pa llogaritur edhe numrin që mund të japin gërmimet e reja. Ndërkohë aspekti financiarë është një tjetër çështje që specialisti ka trajtuar. Për këtë ai u është drejtuar Bankës së shtetit, bankave të nivelit të dytë, apo edhe atyre private për të mundësuar një financim për restaurimin e monedhave. “Në këtë mënyrë ne jemi munduar të bëjmë një lloj bilanci se sa mund të kushtojë kjo lloj punë në aspektin financiar për të dalë nga kjo gjendje ku jemi. Ky është një investim i cili mund të kushtojë rreth 800 mijë lekë të reja në vit, duke përfshirë edhe mjetet e domosdoshme që mundësojnë ndërhyrjen në këto monedha”, vijon ai, duke treguar se “në gërmimet arkeologjike që bëhen çdo vit në arrijmë të nxjerrim rreth një mijë monedha të reja, kështu që minimalisht ne duhet të kishim dy njerëz të cilët do të punonin vetëm me monedhat, në mënyrë që njëri të mbulonte ato që zbulohen çdo vit, ndërsa tjetri ato ekzistueset. Dhe nuk na është përgjigjur asnjeri”.

Rëndësia

“Monedhat janë gjetjet më të rëndësishme sepse ata datojnë një periudhë të caktuar, kush u ka prerë, lidhjet tregtare e shumë detaje të tjera. Ndërsa në Shqipëri prerja monedhave ka filluar që në shekullin 4 para erës së re”, shprehet shefi i laboratorit të konservimit dhe të arkeometrisë të qendrës së studimeve arkeologjike, Frederik Stamati, ndërsa shton se “ajo gjendje që shikoj unë nuk është ajo monedhë që mbart të njëjtat tipare që kishte në atë kohë, por është krejtësisht e denatyruar”. Sipas tij deri më tani janë numëruar me mijëra monedha të dëmtuara duke e humbur kështu rëndësinë e tyre.

Për këtë përgjegjës specialisti Stamati bën përgjegjës instancat shtetërore duke thënë se “kjo është një çështje që shteti duhet të përgjigjet, zgjidhja e problemit të financave, në të kundërt ato do të shkojnë drejt prishjes dhe zhdukjes së tyre”.

Sicc dalin nga nëntoka

Gjatë kohës kur ato dalin nga toka ato kanë shumë probleme sepse ndryshon mjedisi. Zhvendosja nga ambienti i nëntokës, ku ato ishin të izoluara nga ajri dhe lagështia në një farë mase, në sipërfaqe të tokës monedhat kërcënohen nga proceset e vazhdueshme natyrore, ajri, temperatura, ndotja e një sërë faktorësh që ndikojnë mbi metalin. Një objekt që është në tokë ruhet më mirë se sa një tjetër i cili nxirret prej se sa një tjetër që nuk restaurohet, ose edhe kur ekziston mundësia që mund ti kenë bërë ndërhyrje të gabuara. Ne na vinë në laborator monedha për shembull të Antogonesë të cilat janë zbulime të viteve të hershme. Kam vënë re që e gjithë sipërfaqja e tyre është shndërruar në pluhur, duke fshirë sipërfaqen e monedhave, figurat, shkronjat e ndryshme që mbartin. Në këtë mënyrë ato nuk mund të lexohen. Sipërfaqja e një pjesë prej këtyre monedhave është e mbuluar me baltë. Nëse mundohemi ta eliminojmë këtë shtresë balte pa i kushtuar kujdes e gjithë sipërfaqja e monedhës do të dëmtohet menjëherë. E për këtë kërkohet një punë kolosale për të restauruar për ato që kanë mbetur, por nuk janë më metal, sepse ato janë transformuar tashmë në sipërfaqen e tyre.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›