Shqipëria në NATO, e majta dhe e djathta ndahen
Nga Zamir Gjurgji
Në një kohë që shqiptarët festuan masivisht “NATO day”-in, si për qendrën e djathtë dhe atë të majtë, data 4 prill 2009 rezultoi bashkësisht si ditë e shënuar dhe veçmas si ditë e bardhë dhe ditë zie. Nga një vëzhgim më i detajuar e analitik i klimës politike që i ka paraprirë arritjes së kësaj date të shënuar, mund të kuptohet më mirë se cilat kanë qenë forcat politike që i kanë hedhur benzinë dhe cilat i kanë hedhur ujë zjarrit politik në vend.
Të djathtët kanë sakrifikuar mund, sakrifica dhe energji pa kufi për t’ia dalë mbanë një sfide që për gjysmë shekulli ka qenë një kafshatë që nuk kapërdihej, një kafshatë që për shumë kohë ta ngecnin edhe në fyt, nëse guxoje ta përmendje qoftë edhe me majën e gjuhës…
Ata kanë bërë thuajse të gjitha përpjekjet politike që anëtarësimi në NATO të kryhej në kohë rekord, sidomos përpara hyrjes së qershorit, ngaqë ky anëtarësim nënkupton vetvetiu hedhjen e hapave të rëndësishëm në rrugën e gjatë të kryer nga ata që trokasin, si dhe të mundimshme e të vetëvështirësuar nga ata që hapin dyert e integrimit de jure të shqiptarëve në Evropë, prej së cilës u ndanë dhunshëm më 7 prill 1939 dhe përdhunshëm më 29 nëntor 1944.
Të majtët e etur për pushtet, gjatë gjithë kësaj kohe kanë vijuar pa ndërprerje procedurën e sabotimit mbi dhe nën nën rrogoz të integrimit të shqiptarëve në strukturat euroatlantike. Ata janë përpjekur me të gjitha mjetet e “revolucionit demokratik” t’u vinin shkopinj nën rrota nismave të njëpasnjëshme - edhe pse jo perfekte - të mazhorancës qeverisëse, për të mbërritur në thyerje të prillit me faqe të bardhë - edhe pse jo “me ballin lart”. Janë ata, që janë mundur me të gjitha mjetet mediatike - ora e Presidentit Bush u raportua e vjedhur nga një TV në top të shikueshmërisë publike dhe në top të bindshmërisë kryebashkiake; me të gjitha mjetet e “shoqërisë civile” - të shpërdorin edhe kodin e vdekjes kur propagandojnë e agjitojnë kodin e etikës; me të gjitha mjetet e “drejtësisë për hakmarrje” - që të kryqëzojnë ministrin e Jashtëm, në një kohë që duhej të firmoste aty pranë lumit Rin, ish-ministrin e Mbrojtjes, vetëm që ky i fundit të mos firmoste andej Rinit në ditën e NATO-s, dhe vetëm e vetëm që emri i Delijorgjit të përmendej sa më pak. Janë përpjekur të ndryshojnë gjithçka, bile edhe simbolikën e flamurit kombëtar, vetëm e vetëm që NATO-ja t’u gërditej shqiptarëve këndej dhe andej traut të Morinës dhe Qafës së Botës.
E më së fundi, përdorën edhe fishekun e fundit ‘varshavian’ në pajën e martesës së tyre ideologjike, sabotimin e procesit integrues të shqiptarëve nëpërmjet kartës ID. E pra, majtistët i bënë të gjitha, si për t’i thënë elektoratit të tyre varshavian se edhe pse nuk mundeshin ta pengonin plotësisht të djathtën që ta integronte Shqipërinë në NATO, të paktën u dolën borxhit të parëve të tyre biologjikë, që rrezikun anglo-amerikan e kishin gjithmonë në thep e shqekëz e që “Komunën e Parisit” e konsideronin si barkushen e majtë të zemrës.
Për ta, amanetin nuk e tret as dheu, edhe sikur të sakrifikojnë nga Erioni i ri te ai i vjetri. Si për t’i bërë me dije fabiusët francezë, që gjinushistët shqiptarë janë ende gjallë dhe në krye të detyrës. Që edhe ‘beton’ do të hanë, por parimet e Internacionales Komuniste të ‘Zhanës së Harkut’ nuk do t’i tradhtojnë kurrë. Dhe për këtë arsye u bien pa pushim edhe bilbilave, edhe tambureve, edhe Parlamentin e gjakosin, edhe lule hedhin mbi arkivole mafiozësh, madje rrahin fort këmbët në podiumet e Parlamentit, bërtasin e ulërasin me sa kanë në kokë. Tamam ashtu si homologët e tyre francezë të djepit të komunarëve të komunizmit. Vështirë për t’u besuar - ndonjëherë - se të majtët akordojnë bukurisht në distancë të gjitha përpjekjet për sabotimin e të djathtëve pro NATO-s.
Franca në NATO, e majta dhe e djathta ndahen
Antonio Jimenez Barca, “El Pais”
Debati ishte i gjallë e drithërues, me batuta e kundërbatuta, sharje, britma e përplasje këmbësh. Parlamenti francez debatoi më 17 mars hyrjen e vendit me mandat të plotë në NATO. Por gjithsesi, në sallë nuk u debatua vetëm për këtë temë. U diskutua për më tepër edhe për pavarësinë, për ndikimin në botë të këtij hapi vigan, për peshën diplomatike të një fuqie të vjetër, që vlen të luajë në mbrojtje apo në repartin e sulmit, të një ekipi fitues. Shkurt, për identitetin e Francës dhe vendin që zë ajo në botë, ku disa ngrenë pikëpyetje për integrimin në zemër të Aleancës Atlantike, e disa të tjerë, kanë mendim krejt të kundërt se kjo zgjidhje shërben për ta forcuar këtë identitet.
Kryeministri francez, François Fillon, me flegmatizmin që e karakterizon, ia doli mbanë të mbante një fjalim të gjatë me letër përpara, duke mos e prishur fare terezinë, edhe pse e majta në kor, bërtiste me sa zë kishte në kokë. “Nuk kemi nevojë të marrim leksione demokracie nga ata që janë të pranishëm sot në sallë vetëm e vetëm që ne të bëjmë si ç’thonë ata”, - u shpreh ai në të parën herë kur doli nga teksti i shkruar. Z. Fillon doli më pas nga kritikat e përgjithshme, duke hyrë në thelb të debatit: “Gjithçka nuk pi më ujë, çdo gjë është tashmë e vendosur, në datën 4-5 prill Nicolas Sarkozy do të anonçojë hyrjen e Francës në zemër të Aleancës, në një takim të nivelit të lartë, që do të mbahet njëkohësisht në qytetet kufitare të Strasburgut (Francë) dhe Kehlit (Gjermani). Qysh nga këto momente, timbri i zëri të Kryeministrit filloi të ngrihej, duke kaluar drejt e në thelb të debatit, mes grindjeve dhe kundërshtive: “Franca është e madhe, zotërinj, e meqë është e tillë edhe në sytë e botës, si e tillë ndien peshën për të marrë mbi vete përgjegjësi universale”.
Ndërkohë, deputetët e së majtës vijonin të bërtisnin. Të djathtët duartrokisnin. Jo të gjithë. Në sallë kishte edhe ndenjëse bosh që u përkisnin disa deputetëve të qendrës (degolistët e vjetër, të cilët kundërshtojnë hyrjen…), por që nuk ishin të pranishëm në sallë kur u zhvillua debati.
Duke anashkaluar britmat nga salla, Kryeministri francez vijoi më tej: “Kombi ynë nuk pranon urdhra nga askush. Franca është aleate dhe jo vasale, krenare dhe aspak e nënshtruar, miqësore dhe jo e nënshtruar, kjo është marrëdhënia jonë me Amerikën”. Nga ndenjëset e socialistëve, u dëgjuan zëra: “Marionetë!”
Më pas, pa mundur ta shmangte dot, ai citoi gjeneralin De Gol, që edhe pse në vitin 1966 e tërhoqi Francën nga NATO-ja për shkak të divergjencave me SHBA-në, një vit më pas, urdhëroi që bazat ushtarake të kësaj aleance të vendoseshin në truallin francez. “Gjenerali na ka dhënë një mësim që nuk duhet ta shlyejmë nga mendja: atë që asnjëherë nuk duhet vështruar e ardhmja me sytë e së shkuarës”, - saktësoi më tutje Fillon.
Në përfundim, iu drejtua të pranishmëve në sallë: “Rrethanat evoluojnë zotërinj, strukturat ndryshojnë. Por thelbi mbetet i pandryshuar: Madhështia e Francës”.
Socialisti Lorent Fabius përfaqësonte mishërimin e oponencës për hyrjen në Aleancë. Pa letër, ai improvizoi një fjalim ku kritikonte të tijtë për mosbërjen e debatit në tempin e nevojshëm, si dhe sulmoi ashpër kundërshtarët për mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet, ku, sipas tij, gjithçka që u diskutua nuk kishte të bënte me temën e debatit. Nga ana tjetër, ai u fut direkt në temë, duke kritikuar qeverinë që kishte ulur nivelin i kushtëzimeve për të hyrë në Aleancë, si dhe që kishte pranuar pa hezitim të gjitha kërkesat amerikane. Por më pas shtroi pyetjen më abstrakte që mundej: “Kush do të na garantojë se Franca, duke qenë ‘në bërthamë’ të NATO-s, mund të vijojë të jetë lideri i opozicionit për të kundërshtuar luftën në Irak?”
Disa deputetë të tjerë u shprehën me tone kritike për hipokrizinë e shfaqur nga disa deputetë në sallë, që kërkonin të shfuqizohej hyrja me mandat të plotë në NATO, duke sugjeruar për të mbetur pjesë e të gjitha strukturave të mëparshme, zgjidhje kjo e emërtuar si një “debat simbolik”. Por Fabius, rimerr edhe një herë fjalën duke u kthyer përsëri në vatrën e debatit: “Simbolet janë të domosdoshme. Njerëzimi lëviz përpara vetëm, duke iu referuar simboleve. Janë këto simbole dhe kjo histori që e bënë Francën edhe më të madhe se njerëzit e saj dhe pozicioni gjeografik”. Deputeti socialist përfundoi diskutimin e tij duke cituar gjeneralin: “Dhe them ato fjalë siç i ka thënë De Goli “Të mbajmë lart ngjyrat”, por ato të lirisë, barazisë, paqes, të zhvillimit dhe pavarësisë së popullit.
Në një debat të ndezur që vijoi edhe gjatë procesit të votimit, Asambleja Nacionale aprovoi hyrjen e Francës ‘në zemër’ të NATO-s, me 329 vota pro dhe 228 kundër.