E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Allegreto Albania”, shkon në Prishtinë



Në kuadrin e bashkëpunimit ndërmjet Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, një natë më parë në Teatrin Kombëtar të Prishtinës është vënë në skenë vepra e dramatizuar e Stefan Çapalikut “Allegreto Albania”, që trajton dukurinë e gjakmarrjes dhe pasojave të saj, me regji të Altin Bashës. Kjo shfaqje realizohet në kuadrin e realizimit të Memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në fillin të këtij viti ndërmjet Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe atij të Shqipërisë. “Ky bashkëpunim po rezulton tejet i frytshëm”, tha në një konferencë me gazetarë drejtori i Teatrit Kombëtar të Prishtinës, Arian Krasniqi, duke përmendur edhe projekte të reja të këtyre dy teatrove. “Në etapën tjetër do të jemi në një fazë tjetër të bashkëpunimit, të shkëmbimit të informacioneve, të ekipeve kreative të artistëve të dy trupave teatrore, në mënyrë që ndoshta në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm ky bashkëpunim të rezultojë edhe me një koproduksion, apo shfaqje të prodhuar së bashku”, thotë z. Krasniqi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›