E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne, një “small society” sipas Minarollit



Një djalë i ri, piktor, kthehet nga Franca në shtëpinë e tij. Menjëherë pasi rehabilitohet, ai kërkon që të ushtrojë profesionin e tij, për të cilin ai kishte studiuar jashtë shtetit, por përballet me shumë probleme ku gjithçka në film trajtohet në një formë shumë qesharake. Në të njëjtën kohë ai njihet me një vajzë, të cilën e dashuron e ndërkohë që pengesat e mësipërme e detyrojnë këtë çift që të largohet nga Shqipëria, drejt një shteti tjetër. Në mënyrë të përmbledhur, kjo është fabula që trajtohet në këtë film, ku dy rolet protagoniste u janë besuar aktores së njohur kosovare, Arta Debroshi, ndërsa piktorin e interpreton Tedi Pavrami. Kjo është një histori province që në një gjuhë tjetër mund të përshtatet me termin “small society”, sipas regjisorit Artan Minarolli. Filmi “Kronikë provinciale” ka të bëjë me një ngjarje në një provincë shqiptare, është trajtimi i një shoqërie të vogël, për të treguar një shoqëri të madhe. Është tamam si një maket (para se të bëhet një ndërtesë e madhe, fillimisht ndërtohet maketi për ta kuptuar më mirë), që edhe në këto lloj filmash kur tregohet një shoqëri e vogël në një provincë, ku nëpërmjet tij tregohet fenomeni i një shoqërie globale. Kështu ky universalitet gjendet brenda këtij filmi, dhe kjo për mua është më interesante. Sepse ngjarjet dhe dialogët që përçohen aty, në pamje të parë mund të tingëllojnë pak qesharakë, por në të vërtetë ato janë problemet e të gjithë njerëzimit sot. Në këtë pikëpamje, ky lloj filmi flet për një jetë normale, në një provincë që në fakt thotë shumë gjëra më tepër. Tregohet përpjekja e një shoqërie të caktuar për të arritur një status të veçantë dhe për t’u njohur nga bota, pa reshtur asnjëherë vetëm që të quhemi dhe të njihemi si një vend evropian. Këto lloj subjektesh rezonojnë, interpretimi jep mundësinë që çdo njëri prej nesh ta ndjejë vërtet veten protagonist në atë film, pa pasur rëndësi nëse është një film i gjinisë komike apo tragjike. Ky është edhe koncentrati që ka dhënë vetë regjisori Minarolli. Filmi “Kronikë provinciale” trajton dukuri të rilindjes sociale, shpirtërore e politike të tranzicionit postdiktatorial në një qytet provincial në jug të Shqipërisë, që jeton në thjeshtësinë, në përditshmërinë, në meskinitetin dhe madhështinë e tij. Kjo kronikë e zhurmshme, një përrallë për tolerancën dhe intolerancën, për pavarësinë e mendimit dhe respektin ndaj tjetrit, vjen me skenar të Ylljet Aliçkaj dhe financimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë e “Fonds sud du Ministere des Affaires Etrangeres de France”. Po ashtu ky film është realizuar edhe me mbështetje të producentëve shqiptar e të huaj si “Albimazh” Loreta Mokini (Shqipëri), “8 et Plus” Didier Couedic (Francë), “Revolver” Paolo Maria Spina (Itali). Ndërsa aktorët që të intepretojnë në këtë film janë Arta Dobroshi, Tedi Papavrami, Ndriçim Xhepa, Mirush Kabashi, Fadil Hasa, Robert Ndrenika, Aleko Prodani, Margarita Xhepa, Natasha Sela, Birçe Hasko, Vangjel Toçe, Marko Bitraku, Agim Qirjaqi, Guljelm Radoja, Sheri Mita etj. Regjisori Artan Minarolli është autor i disa filmave artistikë, mes të cilëve “100%” (1994), “Plumbi prej plasteline” (1995), “Nata pa hënë” (2001), “Kronikë provinciale” (2009), “Gjallë” (2009). Është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare. Pas premierës së filmit “Kronikë provinciale”, në muajin qershor 2009, do të shfaqet edhe premiera e filmit të tij të fundit “Gjallë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›