E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monitorim i punës së fëmijëve

"Duke e konsideruar si një nga detyrimet tona institucionale mbrojtjen nga puna të fëmijëve, prej disa kohësh, në qendër të monitorimeve të Inspektoratit Shtetëror të Punës është edhe inspektimi i punës së fëmijëve. Kemi filluar të kemi rezultatet e para pozitive, por puna do të vazhdojë dhe ne besojmë se me përfundimin e bazës ligjore, veçanërisht me miratimin e të parit Ligj integral për të Drejtat e Fëmijëve, çdo institucion do të ketë të mirëpërcaktuara detyrat dhe detyrimet për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve në çdo fushë". Kështu u shpreh dje ministri i Punës, Anastas Duro, në një takim që zhvilloi me përfaqësuesen e UNICEF në Shqipëri, Carry Auer.

Ndër objektivat më kryesore të UNICEF dhe të strukturave qeveritare në vitet e fundit, Auer përmendi krijimin e njësive për mbrojtjen e fëmijëve në njësitë vendore, asistimin teknik të Sekretariatit të Fëmijëve, strukturë pranë Ministrisë së Punës, si edhe strukturave politikëbërëse në fushën e të drejtave të fëmijëve, veçanërisht në procesin e hartimit të dokumenteve të rëndësishëm që sanksionojnë dhe garantojnë këto të drejta. Më pas, bashkëbiseduesit u ndalën në përgatitjet e strukturave shtetërore për përgatitjen e raportit, që do të paraqitet në fillim të vitit të ardhshëm në Komitetin për të Drejtat e Fëmijëve në Gjenevë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›