E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq, defektet lënë pa drita gjysmën e Tiranës

Mungesa e energjisë elektrike në këtë sezon, ndryshe nga herët e tjera, duket se ka ardhur si pasojë e defekteve të shumta në linja. Edhe dje, për shkak të stuhisë së një nate më parë, shumë nga linjat e shpërndarjes së energjisë kanë pësuar defekte. Sipas drejtuesve të OSSH-së, kanë qenë pikërisht këto defekte, ato që kanë shkaktuar mungesën e energjisë elektrike në disa zona të kryeqytetit, por më tepër në periferi dhe disa fshatra përreth Tiranës.

Dëmtimi i shtyllave të tensionit të mesëm, në të njëjtën kohë ka vënë në lëvizje grupet e punonjësve të OSSH-së, të cilët kanë ndërhyrë për riparimin e këtyre defekteve në ditën e festës.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka njoftuar dje se zonat e prekura nga mungesa e energjisë janë Sanatoriumi, një pjesë e Saukut, Dajti, Shkoza, zona sipër Oxhakut te rruga "Qemal Stafa", Lapraka, "Muhamet Gjollesha" mes "21 Dhjetorit" dhe Zogut të Zi, si dhe tek Unaza e Re. "Grupet e gatishmërisë së OSSH po punojnë në të gjitha zonat me defekte dhe po mbikëqyren nga drejtori i Përgjithshëm i OSSH-së", pohojnë përfaqësuesit e kësaj ndërmarrjeje.

Ndërkohë që, një gjë e tillë duket se ka filluar të përsëritet shpesh në kryeqytet. Kjo edhe për faktin se shtrirja e linjave dhe "kacafytja" e telave të përcjelljes së energjisë janë aq të rrëmujshëm sa edhe erërat më pak të lehta mund të shkaktojnë dëme. Mjafton të ngresh vështrimin lart dhe të kuptosh rrëmujën e jashtëzakonshme të telave, që ngrihet kërcënueshëm, si një rrjetë merimange.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e OSSH-së kanë hedhur kategorikisht poshtë mundësinë e ndërprerjeve të planifikuara të energjisë elektrike. Sipas tyre, kjo mungesë e dritave në kryeqytet gjatë kësaj periudhe e sidomos ditën e fundit ka ardhur si pasojë e defekteve në linja. Por, gjithashtu edhe prej investimeve të planifikuara që në fillim të vitit në nënstacione, me qëllim forcimin e tyre për të përballuar sezonin më të ashpër të dimrit që pritet të hyjë me një mot të trazuar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›