Festa e Çlirimit, Rama e Meta e përkujtojnë të ndarë
Festa e çlirimit nuk ka ndarë vetëm dy partitë e mëdha, PD-në dhe PS-në, të cilat e kujtojnë këtë ditë në data të veçanta, por dhe vetë të majtën. Kryetari i PS-së, Rama dhe kryetari i LSI-së, Meta, megjithëse njohin 29 Nëntorin si datë të çlirimit të Shqipërisë, kanë shkuar në orare të ndryshme te memoriali "Nënë Shqipëri", për të vendosur kurorat me lule në kujtim të të rënëve të luftës. Por, përkrah kryetarit të PS-së, ndryshe nga sa ka ndodhur me zhvillimet e fundit politike dhe konkretisht me reformën zgjedhore, ishin rreshtuar shkrimtari i njohur dhe ish-deputeti i PS-së, Dritëro Agolli, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi dhe ish-presidenti Rexhep Meidani. Gjatë fjalës së tij para veteranëve të luftës, kryetari i PS-së, Edi Rama, e ka vënë theksin te një bashkim i të gjithë shqiptarëve përtej ndasive të së shkuarës, në emër të së ardhmes së fëmijëve, pavarësisht nëse janë fëmijë socialistësh apo demokratësh. Arsyet që i ndanë shqiptarët në të shkuarën, nuk janë arsye për të ndarë fëmijët tanë në të ardhmen, nënvizoi Rama. Duke e rivënë theksin te bashkimi i shqiptarëve, Rama ka theksuar se "në këtë periudhë kur vendi ynë vazhdon të gjendet në udhëkryqin e problemeve të vjetra dhe ndërkohë kërkon zgjidhje të reja, është koha që të gjithë së bashku t‘i japim jetë dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur për një bashkim të ri". Për kryetarin e opozitës, bashkimi i politikës zgjidh problemet në vend, pasi, theksoi ai, "politika ka lindur që njerëzit së bashku të bëjnë atë që nuk e bëjnë dot vetëm, të zgjidhin probleme që nuk i zgjidhin dot, probleme që nuk i zgjidhin dot vetëm, të realizojnë ëndrra që nuk i realizojnë dot vetëm, ne duhet t‘ia japim politikës shqiptare këtë përmasë". Ky bashkim, tha kryetari i selisë rozë, "duhet të shoh në vazhdimësi, aty ku buron idealizmi dhe patriotizmi, në një histori të largët, por edhe në një histori të gjatë, që është historia e luftës". Ne, tha Rama, duhet të çojmë para amanetin e atyre që nuk janë më, të kemi një Shqipëri që të mos ketë asgjë më pak sesa vendet rreth e rrotull nesh, Shqipërinë që u kemi borxh fëmijëve tanë, fëmijëve të socialistëve, fëmijëve të demokratëve, që nesër do të jenë qytetarë e qytetare me të drejta të barabarta në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, në fjalën e tij, Rama ka vlerësuar maksimalisht kontributin e veteranëve të luftës, duke theksuar se "dua t‘ju përulem me mirënjohje të gjithëve ju që keni ardhur nga të gjitha anët e vendit, për të sjellë këtu praninë e të gjithë veteranëve e veteraneve nga e gjithë Shqipëria, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim".