E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Beteja për çlirimin e Shqipërisë vazhdon

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka kujtuar dje së bashku me anëtarët e kryesisë së partisë së tij ditën e çlirimit, duke vendosur buqeta dhe kurora me lule te memoriali "Nënë Shqipëri". Ilir Meta, në emër të LSI-së, u ka shprehur mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që luftuan dhe sakrifikuan edhe jetën e tyre për çlirimin e vendit dhe njëkohësisht për të gjithë veteranët, për të gjitha familjet e tyre dhe familjet e dëshmorëve të kësaj lufte. Por, kreu i LSI-së nuk i ka kursyer kritikat për shtetin shqiptar, të cilit, sipas Metës, po tregon një mungesë serioziteti, pasi ceremonitë e 28 dhe 29 Nëntorit festohen në mungesë të një protokolli të unifikuar dhe kjo, sipas tij, është një turp për shtetin tonë. "Jam i bindur që shumica e shqiptarëve e festojnë më 29 Nëntor dhe do të vazhdojnë ta festojnë gjithnjë, sepse është një ditë që mbart një mesazh të madh", është shprehur kryetari i LSI-së, Meta. Por, për Metën, Shqipëria ende nuk është çliruar dhe beteja për të arritur këtë vazhdon. Kjo deklaratë u është dërguar si përgjigje dy partive të mëdha, të cilat miratuan Kodin e ri Elektoral, i cili kundërshtohet nga LSI-ja me argumentin se po dhunohet vota e lirë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›