E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekoron Presidentin e "Top Media"-s, Dritan Hoxha

Presidenti i "Top Media"-s, Dritan Hoxha, është vlerësuar dje nga kreu më i lartë i Republikës me "Medaljen e Mirënjohjes" në një ceremoni të posaçme, që u zhvillua në Pallatin e Brigadave. Kreu i shtetit, Bamir Topi, ka vlerësuar maksimalisht angazhimin e Presidentit të "Top Media"-s, Dritan Hoxha, në fushën e zhvillimit të teknologjive dhe të medias në Shqipëri. "Medalja e Mirënjohjes" është një vlerësim shumë i madh që i bëhet themeluesit të grupit mediatik "Top Media", pas një vendi të nderuar, të cilin e kanë vendosur Tanin, shikuesit dhe dëgjuesit e "Top Channel", "DigitAlb" dhe "Top Albania Radio"-s. Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Aleksandër Flloko, ka lexuar para të pranishëmve motivacionin e medaljes. "Presidenti i Republikës, i jep zotit Dritan Hoxha, (pas vdekjes), ‘Medaljen e Mirënjohjes‘. Ideatorit dhe krijuesit të talentuar të njërit prej grupeve më të fuqishme mediatike në vend, i cili revolucionarizoi median elektronike në Shqipëri, duke vendosur standarde bashkëkohore dhe një shërbim cilësor për të gjithë shqiptarët", theksohet në motivacionin zyrtar që ka akorduar Presidenti i Republikës. Kjo medalje është një vlerësim për përkushtimin e madh, me të cilin Tani punoi për të lindur dhe rritur një grup mediatik, që tashmë i përket të gjithë shqiptarëve kudo nëpër botë. Dritan Hoxha ishte shpirti dhe motori i revolucionit mediatik në Shqipëri, revolucion i cili krijoi standarde të krahasueshme dhe të konkurrueshme me ato evropiane. Përveç risisë në fushën teknologjike dhe të informacionit, një vlerë akoma më të madhe që Tani krijoi me "Top Media"-n, është bashkimi i shqiptarëve kudo që ata jetojnë nëpër botë. Në ceremoninë e zhvilluar në Pallatin e Brigadave ishin të pranishëm familjarë të Presidentit të "Top Media"-s, bashkëpunëtorë dhe kolegë me të cilët ai punoi, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik. Bashkëshortja e Dritan Hoxhës, Vjollca Hoxha, pas marrjes së dekoratës theksoi: "Kam një falënderim të veçantë për Presidentin e Republikës, për këtë vlerësim që i bën Dritan Hoxhës dhe veprës që ai krijoi dhe na la të gjithëve. Ky është një vlerësim për ‘Top Media‘-n, si revolucioni mediatik i Shqipërisë dhe në veçanti për kontributin e Tanit dhe veprës së tij në emancipimin e Shqipërisë dhe të shoqërisë shqiptare. Por, edhe për kontributin për bashkimin e të gjithë shqiptarëve kudo që janë, dhe që ndjekin ‘Top Channel‘".

Përfaqësues të medias dhe biznesit kanë vlerësuar veprën dhe angazhimin me të cilin Dritan Hoxha punoi për të themeluar grupin mediatik, aq shumë të dashur mes shqiptarëve. Kjo medalje është një vlerësim shumë i madh që kreu i shtetit shqiptar i bën Presidentit të "Top Media"-s, Dritan Hoxha, një vlerësim, që vjen pas një vendi të nderuar që teleshikuesit e "Top Channel", "DigitAlb", dëgjuesit e "Top Albania Radio"-s, i kanë dhënë Tanit, për atë që ai krijoi. Padyshim kontributi i Dritan Hoxhës me perandorinë e tij mediatike lidhet edhe me promovimin e vlerave edhe të kulturës tonë shqiptare, në këto momente tepër të rëndësishme për të gjithë kombin shqiptar.

Kreu i shtetit viziton stendën e "DigitAlb" në Panairin Klik Ekspo Klik

Presidenti: Dritan Hoxhën e falënderon e gjithë Shqipëria

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka vizituar dje stendën e "DigitAlb" në Panairin Klik Ekspo Klik, ku ka vlerësuar kontributin e Dritan Hoxhës për sjelljen dhe zhvillimin e risive teknologjike në Shqipëri. Kreu i shtetit shqiptar, duke përcjellë edhe zërin e të gjithë shqiptarëve kudo që janë, duke qenë në lartësinë e detyrës si përfaqësues i unitetit të kombit, theksoi vlerësimin maksimal për grupin mediatik më të madh dhe më bashkëkohor në vend. Presidenti i Republikës, duke folur përpara një grupi të gjerë operatorësh të biznesit dhe të teknologjisë së fundit multimediale, ka nderuar themeluesin e perandorisë mediatike që bashkoi Shqipërinë me Evropën, Presidentin e "Top Media"-s, Dritan Hoxhën. Kreu i shtetit, i cili vizitoi stendën e kompanisë "DigitAlb", dha vlerësimet maksimale për punën e saj jo vetëm në revolucionarizimin e medias dhe informacionit, por edhe për rritjen e vetëdijes kombëtare, bashkimit real të shqiptarëve, kudo që ata jetojnë, por edhe ruajtjen e gjuhës shqipe.

"Jam me njerëz të medias dhe më vjen mirë që këtë prononcim, e bëj pikërisht në këtë ekspozicion të një prej mediave e cila konsiderohet si pioniere e futjes së teknologjisë moderne në Shqipëri", është shprehur Presidenti Topi. Ai theksoi më tej, se për këtë "ju falënderoj unë, ju falënderon gjithë Shqipëria dhe gjithë shqiptarët, sepse ju keni bërë të mundur që ta shtrini botën e informacionit në çdo cep të globit tonë". Kreu i shtetit tha se kjo është arritur falë "DigitAlb", falë të ndjerit Dritan Hoxha, i cili, me pasionin e tij, arriti që të fusë teknologji të cilat janë kompetitive edhe për botën e përparuar sot.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›