E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha, mesazh Ina Ramës: Nuk vij

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i ka bërë të ditur në distancë Kryeprokurores Ina Rama, se as javën e ardhshme nuk do të paraqitet në Prokurorinë e Përgjithshme, për t‘iu përgjigjur pyetjeve në statusin e të pandehurit, si i akuzuar për abuzimet për rrugën Durrës-Kukës. Në një konferencë për shtyp, që Basha mbajti dje, pasdite, ai ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të ketë marrëdhënie me organin e akuzës, për të cilin, siç tha ministri, ai ka caktuar avokatin e tij. Shefi i diplomacisë ka akuzuar Kryeprokuroren Ina Rama, se është ndikuar politikisht për akuzat ndaj tij, prej Partisë Socialiste dhe posaçërisht prej kreut të PS-së, Edi Rama. Ministri i Jashtëm, Basha, përveçse ka kundërshtuar akuzat për abuzim në rrugën Durrës-Kukës, ka sulmuar ashpër opozitën, duke theksuar se e majta jo vetëm që nuk e ka dashur ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, por ka sabotuar atë, ngaqë nuk ka arritur të hartojë projektin e kësaj rruge.

Vendndodhja

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, në fillim të konferencës për shtyp, dërgoi mesazhin ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, duke i bërë të ditur se as javën e ardhshme nuk është në dispozicion të saj për t‘u pyetur. Basha e lidhi përgjigjen e tij me interesimin e mediave, ku tha se përzgjodha pasditen e sotme (djeshme) për këtë komunikim, pasi gjatë gjithë javës së ardhshme do të ndodhem jashtë vendit, në funksion të disa takimeve të rëndësishme të kalendarit diplomatik.

Akuzat

Bataretë e akuzave të shefit të diplomacisë shqiptare, ndaj kreut të opozitës, kanë qenë të gjata dhe të forta. "Ndërkohë që arteria e kombit, çdo ditë i afrohet përfundimit të saj, Edi Rama dhe mercenarët e tij, ata që për 8 vjet me radhë penguan ndërtimin e saj, duke mashtruar për 8 vjet Shqipërinë dhe Kosovën, ata që pas humbjes së pushtetit nisën sulmin e tyre për të nxirë, përbaltur dhe denigruar projektin më të madh në historinë e vendit, sot janë angazhuar në një sulm të egër dhe të paprecedent, në një proces të pastër politik, i cili po komprometon rëndë detyrimet ligjore të prokurorisë shqiptare para Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe shtetit ligjor", deklaroi ministri, duke qëlluar me një "gur", edhe opozitën, por edhe Kryeprokuroren Ina Rama.

Sipas Bashës, ish-qeveria socialiste është fajtore për mungesën e projektit teknik të rrugës. Në deklaratën e djeshme për gazetarët, Basha theksoi se "mungesa e projektit teknik për segmentin Rrëshen-Kalimash është prova më e qartë e mungesës së vullnetit politik të 8 viteve qeverisje socialiste. Ky është shembulli më komprometues së përveç mashtrimit 8-vjeçar, qarqe të caktuara brenda ish-mazhorancës, sot në opozitë sabotuan me vetëdije kriminale projektin e bashkimit". Duke shkuar më tej në deklaratën e tij, ministri i Jashtëm, i cili është thirrur i pandehur nga Prokuroria për abuzime në rrugën Durrës-Kukës, theksoi se "kemi të bëjmë me një sulm të pastër politik, ku mercenarët e Edi Ramës dhe ndokujt tjetër brenda Prokurorisë morën akuzat e fabrikuara nga zyrat e Edi Ramës dhe i riprodhuan ato, tashmë me stemën e prokurorisë".

Reagon zëdhënësja Mimi Kodheli: Basha po i bën një dëm të madh Kosovës

PS: Ministri të ulet menjëherë në karrigen e të pandehurit

Menjëherë pas deklaratës së Bashës, ka reaguar Partia Socialiste, duke i kërkuar ministrit të lërë karrigen e qeveritarit dhe të ulet në atë të të pandehurit. Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, ka deklaruar dje në mbrëmje: "Është dita për të kujtuar se Gjykata e Lartë i ka kërkuar Kuvendit edhe një tjetër heqje imuniteti për Lulzim Bashën, pas asaj për vjedhje. I ka kërkuar heqjen e imunitetit për shpifje ndaj Edi Ramës, i cili e ka paditur në gjykatë Lulzim Bashën, duke i dhënë mundësinë të faktoj shpifjet e tij. Por, kjo lule e spikatur e korrupsionit në oborrin qeveritar, është në vetvete fakti më jetësor i shprehjes "bërtet hajduti, kapeni hajdutin" dhe shëmbëlltyra më kuptimplotë e degjenerimit të qeverisë së duarve të pastra, në një çiflig punësh të pista". Socialistët e kanë sulmuar shefin e diplomacisë, duke i kujtuar se me deklaratën e djeshme, ai po i bën një dëm të madh edhe Kosovës, sepse po nxihet realiteti. Zëdhënësja e PS-së, Mimi Kodheli, deklaroi se "ministri i pandehur Punëve të Jashtme, i bën Shqipërisë dhe Kosovës sot një dëm të madh. Lulzim Bashës i themi të mos e ndotë më mjedisin publik me kundërakuza banale, por të çohet nga karrigia e ministrit dhe të ulet në karrigen e të pandehurit. Përpjekja e të pandehurit për shpërdorim detyre, Lulzim Basha, që ta kthej këtë çështje ordinere grabitje fondesh publike në një çështje politike është mjerane për atë personalisht dhe e turpshme për një qeveri që u votua për të punuar me duar të pastra".

Prokuroria: Shkeljet e tenderit Durrës-Kukës

Aktakuza e Bashës/ Nuk duhej ndërtuar me prokurim të drejtpërdrejtë, pasi nuk cenohej siguria kombëtare

Asnjë procedurë nuk është bërë në mënyrën e duhur nga qeveria për të ndërtuar rrugën Durrës-Kukës. Prokuroria ka gjetur një sërë shkeljesh, duke hedhur dyshimin se të gjitha vendimet apo projekt-idetë e Ministrisë së Transporteve kanë qenë të gabuara. Madje, njëra prej shkeljeve të kryera nga Lulzim Basha, një nga dy të pandehurit e dosjes, është edhe procedura e prokurimit për rrugën Durrës-Kukës. Sipas saj, gjatë tenderit nuk është zbatuar asnjë ligj ose rregull, qoftë kombëtar ose ndërkombëtar, thjesht është dhënë vlerësimi për disa firma konkurruese dhe vetëm kaq. Madje, prokuroria ironizon se shteti shqiptar nuk rrezikohej nga faktorë të jashtëm që përdori këto procedura për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Prokuroria thotë se vendimet e Këshillit të Ministrave të vitit 2006 kanë legjitimuar një gjendje të tillë paligjshmërie me pasoja të rënda financiare ekonomike për buxhetin e shtetit dhe se këto vendime nuk bazohen në Kushtetutë dhe ligje. "Në këtë rast, konstatojmë se nuk kemi ndonjë arsye emergjente të shtetit shqiptar apo cenohet siguria kombëtare, apo vendi rrezikohet nga ndonjë sulm i jashtëm dhe ka emergjencë në ndërtimin e rrugës, nuk ka asnjë shkak të ligjshëm", deklaron prokuroria, duke i formuluar akuzat Lulzim Bashës, të cilat ia ka dërguar me postë zyrtare në shtëpi dhe në zyrë. Madje, grupi hetimor pohon se kreu aktual i diplomacisë shqiptare ka injoruar edhe zërat kundër në qeveri dhe nuk i ka marrë si bazë.

Tri ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme ka përcaktuar se rruga Durrës-Kukës ka marrë 70% më shumë lekë nga buxheti i shtetit, nga sa ishte parashikuar në fillim. Nga hetimet ka rezultuar se një nga shkeljet është: "Çmimi i kësaj rruge prej 418.333.986 eurosh është një çmim i synuar dhe jo çmim përfundimtar. Çmimi fillestar i synuar në momentin e lidhjes së kontratës ishte 418.333.986 euro, pas mbarimit të projekt-idesë çmimi është rritur në masën mbi 70 për të çmimit fillestar dhe ky çmim vazhdon të rritet dhe nuk dihet saktësisht se sa do të shkojë ai deri në fund të hartimit të projektit përfundimtar".

Hetuesit saktësojnë se deri tani një fakt është i qartë, që çmimi i rrugës vazhdon të rritet që nga momenti i lidhjes së kontratës dhe nuk dihet se sa do të shkojë. Ndër 19 shkeljet e Bashës dhe Tomës, prokuroria ka renditur se projekti përfundimtar i zbatimit nuk ka përfunduar. Ndërsa në projektin përfundimtar mungon oponenca teknike. Zyra e prokurorit të Përgjithshëm i shkruan Lulzim Bashës me postë se dyshohet se një ndër shkeljet e rrugës Durrës-Kukës është fakti se, megjithëse kontrata është lidhur, miratuar më pas me VKM dhe ka filluar përmbushja e detyrimeve të kontratës pa pasur mbikëqyrësin e punimeve, rezulton se tenderi për përzgjedhjen e supervizorit të punimeve të rrugës Rrëshen-Kalimash ende nuk ishte hapur në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve. Ndërkohë, mësohet se gjithmonë, kur bëhet një tender, ka një fond limit. "Mungesa e fondit limit lidhet me faktin e mungesës së projektit përfundimtar të zbatimit", tha prokuroria, duke saktësuar se Ministria e Transporteve i ka dhënë firmës që do të ndërtonte rrugën një paradhënie më të madhe nga sa parashikohet në ligjet shqiptare. Në lidhje me zbatimin e kontratës, prokuroria saktëson se në asnjë rast nuk mund të zbatohen dhe të kenë efekt në Shqipëri ligjet ose dispozitat e tjera të një shteti të huaj. Mësohet se shkelje tjetër është dhe fakti se një pjesë e dokumenteve të paraqitura për pagesë, si dhe të dokumentacionit në përgjithësi janë në gjuhën angleze, çka përbën një shkelje të ligjit për prokurimet publike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›