Monizmi dhe Mozizmi shpreh paqartësinë e platformës majtiste
E ardhmja e Partisë Socialiste duket e zezë. Një e vërtetë. Partitë janë si nënat: ndjen keqardhje kur nuk janë më midis nesh. Të gjitha të dhënat e të bëjnë të mendosh se do të ndjejmë keqardhje për PS. Kuptohet do na vijë keq, por për ta nuk kemi lot. Mozaiku po plotësohet sepse këto nuk janë teorema, janë faktet ato që të bëjnë të flasim. Një prej tyre është devijimi i ish-politikës së re edviniane, në një regres politik që përfaqësohet nga oktapodi i diktaturës, Ruçi. Mozizmi i opozitës është një rikthim në të kaluarën, në ancien régime në vitin 1991, kur ish-ministri i Sigurimit shtypte ne gjak Shkodrën në protestat demokratike të 2 prillit.
Afërmendsh problemi i politikës socialiste është se nuk ka një epiqendër, nuk ka një bastion dhe një pikë qëndrimi të së vërtetës; por zhvillohet tejet konfuze si një magmë verbale që ecën teposhtë si ortek supozimesh dhe mistifikimesh. Varfëria e ideve të opozitës është shqetësuese, konvencionale, dikensiane. Përtej gjimnastikës së llafollogjisë, opozita si shpesh s’po ka asnjë ide. Nuk është e natyrshme. Siç nuk është normale “politika” me strategjinë e deficitit të perceptimit me ajkën e demonizimit “shto miell e shto ujë” për të bërë një bukë të papranueshme për sofrën e demokracisë. Neglizhon të vërtetën. Lideri socialist, në përballjet “epike” me gazetarët e nis me valcerin e shantazhit për hapjen e kutive, bën 5 minuta pushim e pastaj fillon me kinse dokumente të falsifikuara në Orikum, me faturat e OSSH, ndërsa përtyp si dele sindikaliste mungesën e plotë të vëmendjejse ndaj minatorëve. Shfaqet me krenari meskine, maestro në kapërdimjet politike. Gjithçka për të konfirmuar teorinë se “ashtu siç mbahen të mbyllura kutitë e votimit, mbahet e fshehur edhe gjendja e ekonomisë shqiptare, e cila është në krizë të thellë”. Por ky nuk është realizëm për një hamendësim shkak-pasojë të papërgjegjshëm, për një filozofi cinike që prek pesimizmin e investitorëve të huaj e të brendshëm dhe që amplifikon anët negative të qeverisë “Berisha 2”, në përpjekje për të penguar liberalizimin e vizave. Transparenca nuk është te kutitë e Rruzhdies, por te dybeku i një politike anoreksike, e cila është në një mungesë të theksuar vizioni dhe alternative. Më konkretisht, humbja e zgjedhjeve e acaroi më shumë alergjinë e disa eksponentëve anti-demokraci në PS. Nëpërmjet dogmës së bojkotit dhe armës së radikalizimit mbas zgjedhjeve ata humbën rastin e një reflektimi sepse elektorati nuk u besoi, vijimi me përpjekjet për të delegjitimuar me çdo kusht, me çdo kuti “rruzhdie” palën fituese, fshehën dobësinë e alternativës së tyre pa program; kurse me luftën e ashpër brenda llojit, prej etjes për pushtet infektuan miqësinë me servilizmin, po ashtu me thirrjet plaçkitëse drejtuar “popullit opozitar” për të dalë në rrugë për protesta demonstruan qëllimin e tyre primar, pushtetin mbi gjithçka. Rruzhdia nuk flirtoi me opozitën, qëndroi me burrin legjitim.
Gjithashtu mega-ideja gidensiane në terrenin shqiptar “Përtej të majtës dhe të Djathtës”, ishte fiks nihilizëm, mungesë filozofie, mungesë platforme vlerash dhe vizioni të botës, e cila përkthehet vetiu tek përparësitë e reformave politike. Thembra e Atillës së PS është se nuk ka thembër, por zvarritet në sajesa kauzash të mekura që nuk galvanizojnë as elektorat e as berat, por veç shtojnë dozën e harbutëllëkut dhe të mërzisë.
Ndërkaq opozita është në pikë të hallit nga këta kryetarë të papërgjegjshëm; kurse edhe pozita nuk është se i kalon mirë. Ka vështirësi. Por diçka e bën për të ecur përpara, siç është propozimi i një rezolute për të parë sa e interesuar është një pjesë e parlamentit shqiptar kundrejt liberalizimit të vizave.
...