E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i të gjitha aseteve shtetërore, në arkën e shtetit shkojnë 100 milionë euro

Ministri i Ekonomisë Prifti, ftesë sipërmarrësve shqiptarë: “Qeveria mbështet interesin publik”


Shteti shqiptar pritet të arkëtojë një shumë domethënëse prej 100 milionë euro, nga privatizimi i aseteve shtetërore. Privatizimi i gjithçkaje, përveç HEC-eve mbi kaskadën e Drinit, është direktiva e qeverisë, duke nisur drejt tregut të gjithë asetet shtetërore e paketa aksionesh, shto këtu edhe objektet strategjike e deri tek repartet ushtarake të braktisura. Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, në një deklarim për shtyp sot, tha se qeveria pret të arkëtojë nga privatizimet në këtë vit rreth 100 milion euro. “Direktiva e qeverisë është për të privatizuar pothuajse çdo gjë, me përjashtim të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit të cilat nuk do të jenë në proces privatizimi. Me përjashtim dhe të shëndetësisë dhe të arsimit. Pastaj çdo gjë tjetër që është pronë e shtetit, ndërmarrshje shtetërore, apo asete dhe prona kudo që të jenë ato, porosia është të vihen në proces privatizimi që të kemi mundësi që shteti dhe qeveria të kursejë më shumë nga shpenzimet e veta dhe ndërkohë të ketë një kontribut që parashikojmë të shkojë në 100 milionë euro”, u shpreh ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Kreu i dikasterit të ekonomisë i cili do të menaxhojë procesin ka ftuar sipërmarrësit shqiptarë të bëhen pjesë e këtij privatizimi dhe ka specifikuar të drejtën e pronarëve për parablerje. “Nga ky proces pritet që mbi 100 milionë euro të futen në buxhetin e shtetit, ndërsa përfitime të tjera llogariten edhe nga ulja e shpenzimeve, por ne jemi të interesuar që në këtë proces privatizimi të përfshihen investitorët shqiptarë”, deklaroi ministri Prifti. Ministri i Ekonomisë vuri në dukje se është ngritur një grup i posaçëm pune nën drejtimin e kryeministrit për të mbledhur informacion për të gjitha asetet që ministritë e linjës mendojnë se duhen futur në proces privatizimi. Sipas tij, i gjithë procesi i vlerësimit të pronave do të bëhet nga ministria e Ekonomisë, ndërkohë ankandet e shitjeve do të realizohen nga ministria e Financave. Në procesin e privatizimit do të përfshihet pjesa e mbetur e kompanisë ARMO, Albtelekom, informoi Prifti, i cili shtoi se do të privatizohen dhe 450 reparte ushtarake, ndërsa më vonë do kësaj procedure do i nënshtrohen hidrocentralet e vogla, por jo ato të kaskadës së Drinit, të cilët përbëjnë edhe fuqinë më të madhe prodhuese të energjisë elektrike në Shqipëri dhe rajon. Në këtë aspekt, ministri Prifti, theksoi se tashmë është ngritur edhe një grup pune ndërminitror për privatizimin e INSIG. Sipas tij, janë mbi 200 fabrika, ndërmarrje apo uzina që dikur kanë qënë pronë shtetërore aktive, tashmë në proces likujdimi apo të dhëna me qera që do të futen në proces pirvatizimi. Ndërkohë, nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes ka hartuar një listë me 450 reparte ushtarake të cilat do të futen në procesin e vlerësimit dhe pastaj privatizimit të plotë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›