E Hënë, 2 Nëntor 2026

Monodrama ”Rouz”, Drita Pelingu luan rolin e fundit të karrierës

Autori i Lajmit: red.
“Nuk jam ndodhur ndonjëherë të luaj në një monodramë. Por, ndoshta është vepra dhe mënyra më e mirë për t i dhënë lamtumirën një karriere të gjatë prej artisteje”, përfundoi aktorja e madhe Drita Pelingu.

Një udhëtim i dhimbshëm për aktoren Drita Pelingu do të vijë sot, kur ajo do t i japë lamtumirën karrierës 60-vjeçare, e veshur nën hijen e “Rouz”, një monodramë e dramaturgut amerikan Martin Sherman, e cila do të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar, në datat 16-18 janar. “Rouz Roz, pikë referimi mbi jetën time, ndonjëherë ka jetuar dhe brenda meje”, tha aktorja 82-vjeçare Pelingu në konferencën për shtyp, organizuar dje në skenën ku do t i jepet jetë monodramës, me regji të Bujar Alimanit. Duke e parë teksa fliste e sigurtë mbi skenë, aktorja të krijonte përshtypjen se tashmë ishte vendosur përballë dramës së Rouz, një realiteti që i përkiste, sfidës së saj më të madhe. Loja e monodramës së saj, e para në 60 vjet, të duket sikur e kishte shndërruar aktoren, në personazhin e dhimbshur, të vuajtur, por nganjëherë dhe të fortë në përballjen me ngjarjet e hidhura të realitetit, të cilat, dikur nuk qëndronin larg saj. “Ndihem mirë me këtë rol edhe pse s jetoj shumë larg nga realiteti i hidhur, që kaloi populli hebre në shekullin e XX-të”, tha artistja. Pelingu pohoi se e veçanta e këtij shpirti të trazuar është, “…dashuria, që nganjëherë vendoset në skenë dhe përshkon gjithë veprën për të ndihmuar një shpirt të vrarë, në momentin kur ka më tepër nevojë”. “Nuk jam ndodhur ndonjëherë të luaj në një monodramë. Por, ndofta është vepra dhe mënyra më e mirë për t i dhënë lamtumirën një karriere të gjatë prej artisteje”, përfundoi aktorja. E kush mund ta dijë! Ndofta nesër, midis duartrokitjeve të publikut, në faqen e saj të rrudhur, kapriço e ikjes së viteve, një lot dhembshurie dhe malli do të përshkojë fytyrën e saj për skenën, që ka dashur aq shumë. Drita Pelingu (Kripa), ka lindur në qytetin e Vlorës në vitin 1926. Pasioni për artin i hapi dyert si aktore profesioniste në Teatrin Kombëtar në vitin 1946. Menjëherë u evidentua si artiste e talentuar me pjesmarrjen e saj në disa nga komeditë dhe dramat e para të luajtura në skenën shqiptare. Drita Pelingu ka interpretuar në rolet kryesore të 50-të veprave të letërsisë botërore dhe shqiptare, njëkohësisht është dhe regjisore e mjaft veprave në skenën e Teatrit Kombetar, Teatrit të Vlorës, etj. Disa nga rolet që spikasin në jetën e saj artistike janë “Rëshqitja”, “Arturo Ui”, “I çuditshmi”, “Zonja e Bujtinës”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Artani”, të luajtura përkrah aktorëve të kalibrit si Kadri Roshi, Sandër Prosi, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, etj. Në kinematografi interpreton disa role në filmat e Ish-Kinostudios Shqipëria e Re, ku i pari është tek filmi “Tana” (1958), e më pas “Njeriu me top”, “Kur hidheshin themelet”, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Radiostacioni”, “Përtej mureve të gurta”, “Fjalë pa fund”, “Shpresa”, e shumë të tjerë. Pelingu mban titullin “Artiste e Merituar” (1986), ndërsa 10 vjet më vonë, rrëmben çmimin kombëtar “Ismail Qemali”, për të vijuar me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe e Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.
Ky lajm është publikuar: 16/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›