E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një mbrëmje me Schumann në Akademinë e Arteve

Autori i Lajmit: red.
Vepra e kompozitorit të madh gjerman Robert Schumann erdhi dje në Akademinë e Arteve, në kuadër të “Stinës Koncertore të Dimrit 2008-2009”. Kjo vepër muzikore do të luhet e gjitha në piano nga pianistja e mirënjohur Merita Rexha Tershana. Nga vepra e tij do të prezantohet për publikun muzikor “Davidsbundlertanze” (në shqip. “Vallet e lidhjes së Davidit”),e cila është quajtur një vepër autobiografike. “Vallet e lidhjes së Davidit” e shkruar në vitin 1837 përbëhet nga 18 pjesë karakteri të firmosura nga Florestani dhe Eusebiusi, dy pseudonimet artistike të Schumann-it. E gjithë kjo vepër është konceptuar si një dialog mes këtyre dy anëve të karakterit të autorit. Që nga koha kur është shkruar e deri tani kjo vepër përfaqëson për publikun muzikor një enigmë interesante, e cila të fut në botën fantastike dhe komplekse të Schumann-it, kompozitorit, filozofit, estetistit, kritikut muzikor dhe një prej përfaqësuesve më të mëdhenj të muzikës së shekullit XIX. Disa nga pjesët që do të luhen gjatë kësaj mbremjeje muzikore janë: “Lebhaft” ( në shqip. E gjallë), “Inig” (Intime), “Mit Humor” (Me humor), “Einfach” (Thjeshtë), “Sehr rasch und in sich hinein” (Shumë shpejt dhe e brendshme), “Balladenmassig. Sehr rasch” (Në formë balade. Shumë shpejt),etj. Shumë kritikë muzike dhe pianistë i konsiderojnë “Vallet e lidhjes së Davidit” si veprën më interesante dhe gjeniale që Schumann ka shkruar. “Djaloshi i përjetshëm” Schumann, një prej kompozitorëve romantik më të shkëlqyer, mbyll me veprën e tij dhe një mbrëmje tjetër të Stinës Koncertore të Dimrit 2008-2009, e cila do të zgjasë deri më dt 2 shkurt. "Stina Koncertore e Dimrit" ka si drejtor Prof. As.Alqi Lepuri dhe drejtor Artistik Prof. Dr.Solok Shupo. Ndërsa si kordinatorë janë Prof. Burhan Spahiu, prof. Nora Çashku, prof.As. Ramazan Peku dhe si dizajn Elvana Agolli.
Ky lajm është publikuar: 16/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›