Monografia e Balliut na zbuloi dorën e “padukshme” që lëvizte fijet e pushtetit sllavofil në Tiranë
Një gjë është për t'u admiruar tek autori i këtij libri, mbasi ai megjithëse nuk e kish provuar në vetë të parë kalvarin e persekutimit, mori guximin të shkruajë për ato të vërteta të tmerrshme historike, të cilat thuajse autorët e krimeve do të merrnin me vete "një ditë për të mos parë kurrë dritën e së vërtetës". Mendoja nganjëherë se "kushedi, në ç’mënyrë të sofistikuar kërkojnë komunistët të na hedhin hi syve, duke i bërë apologjinë krimit". Nuk duhet gjithsesi të çuditemi, pasi ka akoma segmente të veçanta edhe sot e kësaj dite që me çdo mjet provojnë ta kthejnë "rrotën prapa", ta shkërmoqin demokracinë, ashtu si edhe vepruan në vitin 1997. Kur fillova leximin e librit të zotit Fahri Balliu, që në rreshtat e para më iku çdo dyshim. E them pa frikë se brenda kornizës së dokumentacionit që Balliu ka mundur të gjurmojë, na ka dhënë një portret mjaft real të asaj që është sot një nga figurat më enigmatike, dhe më të errta dhe më kriminale që mund të përshkruaj edhe fantazia e një gjeniu. Askujt nuk mund t'i shkonte nëpër mend se ajo vajza e heshtur, që ka mundur të hyjë në Institutin “Nana Mbretneshë”, duket e turpshme dhe e menjanueshme. Por që mëson me zell dhe nuk bie në sy. Pra është diçka e veçantë që pak nga pak, dhe si të thuash hap pas hapi si një hije do të fillojë pa ndjer që me hapa të sigurt do t'u bëjë hije të tjerëve. As me shoqet e saj që janë shumë më të hijshme nga bukuria dhe sjellja, nuk rivalizon dot, ndërsa shoqet e saj ftohen edhe nëpër ballo që organizon Naltmadhnia e Tij, por vajza Nexhmije nuk jepet aspak dhe nuk bëhet kurioze kur sheh që djemtë më të preferuar sillen si satelitë për të tërhequr sadopak vëmendjen e tyre. Askush nuk e diti se çfarë luhej thellë në skutat më të errëta të "pavetëdijes së saj". Të gjitha krimet monstruoze, që i kreu së bashku me të shoqin, i bëri me gjakftohtësinë më të madhe. Nuk ndihmoi dhe as që kërkoi ndihmë t’i konsumojë këto krime. Autori ka nxjerrë emra të shumtë shokësh e shoqesh të rinisë së saj, që u zhdukën pa lënë gjurmë. Dhe tek Nexhmija, nuk u pa as edhe një shenjë pendimi, dhimbjeje e brejtjeje ndërgjegjeje. E ftohtë si akull dhe e pashpirt, e pështjellë me komplekse nga më të ndryshmet - hakmarrëse e paskrupullt - ajo u bë protagonistja më e neveritshme e kriminale e jetës së këtij populli. Intrigat e saj janë të shumta, ashtu si edhe veprimet e saj. Autori Fahri Balliu na ka prezantuar në këtë libër një mori personazhesh. Duke marrë shkas nga ky personazh, kaq i tmerrshëm e misterioz, autori na ka dhënë një dritë dhe u ka dhënë "dritë edhe dhjetëra e dhjetëra personazheve të tjera", të gjithë atyre që ranë viktima dhe u zhdukën misteriozisht nga kjo dorë e "padukshme". Për këtë libër mund të bëhen komente të pafund - edhe pse autori ka pasur telefonata anonime, shantazhe dhe kërcënime, vazhdon të punojë, vazhdon të shkruajë në mënyrë të paanshme, për të vërtetat që ky popull ka aq shumë nevojë. Fjala e mbajtur nga aktivisti i diasporës shqiptare në SHBA, në ceremoninë e promovimit të monografisë së Fahri Balliut “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, organizuar nga Federata Panshqiptare “Vatra”
...