Moti i keq, terr dhe izolim në Veri

Reshjet e borës që kanë rënë gjatë 24 orëve të fundit kanë krijuar probleme me energjinë elektrike dhe bllokimin e komunave të thella malore.
KorçëReshjet e kanë vështirësuar së tepërmi situatën në zonën Juglindore të vendit, ku të paktën 12 komuna dhe fshatrat e tyre janë izoluar për shkak të trashësisë së dëborës. Kështu rezultojnë të bllokuara komunat: Voskopojë, Lekas, Vithkuq, Dardhë, Liqenas, Mokër, çlirim, Mollas, Novoselë dhe Barmash në zonën e Kolonjës. Shtabi i emergjencave ka marrë masa paraprake për të ndërhyrë, edhe pse në akset rurale sipas të dhënave ka qenë e pamundur të bëhet zhbllokimi me mjetet borëpastruese si pasojë e infrastrukturës jo fort të përshtatshme me rrugë malore dhe kthesa. Ndërkaq, në disa fshatra është raportuar ndërprerje e energjisë elektrike, si pasojë e defekteve në linja. Pothuajse të gjitha fshatrat e izoluar kanë ndier mungesën e theksuar të energjisë elektrike nga defektet në linjat e tensionit, rrëshqitja e shtyllave, rrjeti i amortizuar dhe dëmtimi i përcjellësve. Sipas të dhënave nga komunat dhe nga OSSH-ja, defektet e shumta kanë ngritur në gatishmëri dhe kanë angazhuar një numër të lartë punonjësish në linja, edhe pse dëbora ka qenë e madhe. Sipas shtabit të emergjencave, deri më tani ka pasur vetëm një emergjencë shëndetësore. Ka qenë një i moshuar nga fshati Liqenas, i cili është transportuar nga banorët më këmbë deri në afërsi të Qafës së Zvezdës dhe më pas është marrë nga mjetet e urgjencës për t’i dhënë ndihmë mjekësore.
DibërReshjet e dendura të dëborës kanë krijuar probleme në zonat rurale të Qarkut të Dibrës. Dhjetëra fshatra të thellë malorë kanë mbetur të izoluar, pasi rrugët që i lidhin këta fshatra me qendrat e komunave, janë të bllokuar nga dëbora, trashësia e së cilës shkon nga 50 deri në mbi 1 metër. Burime nga shtabi i emergjencave në Dibër, konfirmojnë për situatë të vështirë në Komunën Lurë, ku trashësia e dëborës ka arritur në 1.5 metër. Kjo komunë prej më shumë se 40 ditësh vazhdon të jetë e izoluar. Vështirësi janë krijuar edhe për komunat: Kala e Dodës, Sllovë, Selishtë, në rrethin e Dibrës; Ostren, Trebisht, Martanesh, në rrethin e Bulqizës; si edhe Xibër e Macukull në rrethin e Matit. Ndërkaq, moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në aksin nacional Peshkopi-Kukës, ku gjatë ditës së djeshme, në segmente të caktuara edhe kalimi i mjeteve me zinxhirë ka qenë i vështirë. Si pasojë e një defekti në nënstacionin elektrik të Komsisë në rrethin e Matit, ka pasur ndërprerje totale të energjisë për gjatë gjithë ditës së diel, për banorët e rretheve Bulqizë dhe Dibër. Ndërprerje të pjesshme energjie ka pasur edhe në mjaft fshatra në zona të thella malore, si: Selishtë, Martanesh e Xibër, ku banorët kanë mbetur në terr me ditë të tëra. Fatmirësisht, në zonat e izoluara, deri më tani nuk konfirmohen raste emergjente të sëmurësh.
GjirokastërReshjet e borës shkaktojnë probleme në zonat jugore të vendit. Në Qarkun e Gjirokastrës, si pasojë e reshjeve të dëborës gjatë 48 orëve të fundit, ka pasur shkëputje të energjisë elektrike. Ndërkohë akset rurale kanë qenë gati të pakalueshme, për shkak të trashësisë së dëborës. Kështu, rruga rurale që lidh qytetin e Gjirokastrës me komunat e krahinës së Lunxhërisë ishte e bllokuar dhe vetëm dje, rreth orës 09.30 ka rifilluar lëvizja për autoveturat. Ndërkaq, Komuna Buz në rrethin e Tepelenës është e bllokuar, pasi trashësia e dëborës në segmentin e quajtur Qafa e Kiçokut, ka arritur rreth 50 centimetra. Në rrethin e Përmetit vetëm në aksin që lidh Komunën Frashër ka pasur probleme në qarkullim, për shkak se trashësia e dëborës i ka kaluar mbi 70 centimetra.
#