E Diel, 1 Nëntor 2026

Rokadë drejtuesish në Policinë e Tiranës

Ndryshojnë pozicionet shtatë “shefa” te qarkullimi rrugor e në Rinasi. Midis tyre edhe Krenar Ahmeti

Reforma më e re në Policinë e Shtetit nis nga kryeqyteti. Në Policinë e Tiranës janë ndryshuar dhe transferuar dje gjashtë “shefa”, midis tyre edhe kryekomisar Krenar Ahmeti, ish-shefi i qarkullimit rrugor, i hetuar dhe gjykuar për dhunë në dëm të një prokuroreje. Ahmeti ka lënë detyrën e shefit të Sektorit të Forcës se Posaçme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe është transferuar dhe caktuar në detyrën e shefit të sektorit të Rendit e Sigurisë Publike në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Janë ndryshuar shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore, si dhe shefi i Komisariatit të Policisë në Rinas. Shkak për ndryshimet në qarkullimin rrugor janë bërë aksidentet e shumta në Qarkun e Tiranës dhe marrja e masave për të parandaluar këtë fenomen vdekjeprurës.

Lëvizjet

Krahas kryekomisar Krenar Ahmetit është transferuar edhe komisar Artan Osmani, i cili ka lënë detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë dhe është transferuar dhe caktohet shef sektori i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Lëvizje tjetër e firmosur nga Burgaj ka qenë edhe lëvizja e kryekomisar Fatos Kokalarit, i cili deri dje mbante detyrën e specialistit në Sektorin e Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore. Ai është transferuar në vendin e lënë bosh nga Osmani, pra është caktuar si shef i Komisariatit të Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë Qarku Tiranë. Lëvizja e radhës është në sektorin e migracionit. Kryekomisar Shkëlqim Doda, transferohet nga detyra e shefit të sektorit të Policisë Rrugore dhe caktohet shef sektori pranë Drejtorisë Rajonale Kufirit & Migracionit Durrës. Ndërsa kryekomisar Ervin Hoxha, deri dje me detyrë shefi i sektorit të rendit e Sigurisë Publike, transferohet dhe caktohet shef sektori i Policisë Rrugore në Durrës.

Lëvizja e fundit është transferimi i kryekomisar Urim Rexhepit, i cili ka lënë detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Rinas dhe është transferuar dhe caktuar shef i sektorit të Forcës së Posaçme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Reforma

Një tjetër reformë pritet në radhët e policisë, pasi duket se ka dështuar struktura e re e saj. Gazeta “Shqip” publikoi disa ditë më parë se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të ndryshojë forcat policore në të gjithë vendin, duke rikthyer edhe njëherë strukturën e vjetër, për të rimarrë kompetencat e humbura në të gjithë komisariatet.

Ky ndryshim po studiohet tërësisht, pasi rrezikon të bjerë ndesh me ligjin e ri të policisë dhe mund të sjellë një kaos në respektimin e tij. Vetëm tre vjet më parë, strukturat e policisë e kishin gjithë forcën e tyre te komisariatet. Këto të fundit ishin shkalla bazë për hetimin e krimit, nga ku nisnin gjithë procedurat për hetimin e krimit ose për rendin dhe sigurinë publike. Të gjithë komisariatet kishin shefat përkatës të krimit apo të rendit.

Por, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të policisë, komisariatet mbetën vetëm në rolin e “magazinierit”, ku depozitoheshin kallëzimet penale, pasi ndiqeshin nga struktura të tjera. Në këtë aspekt u krijuan seksione dhe sektorë përkatës për të gjitha llojet e krimit, duke u ndarë që nga ato kundër krimit, apo edhe ato kundër personit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›