Përplasen trenat afër Brukselit, 25 të vdekur

Dy trena plot me njerëz u përplasën sot në mëngjes në afërsi të Brukselit, duke lënë 25 të vdekur dhe shumë të plagosur.
Trenat u përplasën në një mot me borë pranë një stacioni hekurudhor në Buizingen, rreth 15 kilometra në jugperëndim të kryqytetit belg.
Hekurudha Kombëtare Belge njoftoi për 25 të vdekur ndërsa kryetari i bashkisë përmendi 20 viktima. Numri i të plagosurve ende nuk dihet me saktësi.
Dy lokomotivat e përplasura u shkatërruan me pjesët e përparme të ngritura vertikalisht ndërsa vagonët të shpërndarë në një zonë të gjerë. Ende nuk dihet se me ç'farë shpejtësie ishin duke udhëtuar trenat në kohën e përplasjes.
Përplasja e trenave krijoi probleme kudo në trafikun e udhëtarëve. Eurostari pezulloi shërbimin hekurudhor nga Brukseli e deri në Britani përmes Tunelit nën La Mansh. U pezullua edhe shërbimi i trenave Bruksel-Paris. //ii