Montexemolo: Rikthimi i Shumit, jo rastësi
Luka Kordero di Montexemolo zbuloi se kishte planifikuar t‘i kërkonte Mikael Shumaherit të rikthehej në pistat e Formula 1, shumë kohë përpara aksidentit fatkeq të Felipe Masës. "Kam menduar shpesh për përdorimin e një makine të tretë, në timonin e së cilës do të ishte Mikael", deklaroi numri 1 i Ferrarit për revistën "Oggi". Drejtuesi më i lartë i "kokëkuqes" nënvijëzoi se "mendova menjëherë për gjermanin" kur mjekët konfirmuan se Masa nuk do të ishte në gjendje të garonte deri në fund të sezonit dhe duhej një pilot zëvendësues. Montexemolo tha se Shumaher e pranoi menjëherë propozimin e skuadrës, kur kjo e fundit i kërkoi ndihmë. Megjithatë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për njeriun që kontrollon të drejtat komerciale të F.1, Berni Ekleston. Ai u shfaq mjaft i habitur: "Ashtu si edhe menaxheri i tij, Uilli Veber, u çudita nga vendimi i Shumit për t‘u rikthyer".