Aksidenti, plagoset diplomati rus në Fushë-Krujë
FUSHË-KRUJË – Vetëm disa ditë më vonë, një tjetër mjet i Ambasadës Ruse në Shqipëri është vënë në qendër të një aksidenti automobilistik, ku kësaj radhe ka mbetur i lënduar një prej punonjësve të saj. Makina e kësaj ambasade ka dalë nga rruga teksa udhëtonte drejt Krujës. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se është lënduar shtetasi me inicialet A. K. Sipas saj, ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së martë, në aksin rrugor Fushë-Krujë - Krujë, në afërsi të fshatit Halil, ku automjeti tip fuoristradë më targë CD 21009, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Ky është rasti i dytë që makinat e Ambasadës Ruse përfshihen në aksidente rrugore, pasi vetëm disa muaj më parë, një tjetër makinë e kësaj ambasade u përfshi në një aksident në qendër të Tiranës.
Aksidenti
Ka qenë ora rreth 20:45 e datës 23.03.2010 kur makina e Ambasadës Ruse ishte duke udhëtuar në aksin rrugor Fushë-Krujë - Krujë dhe në shkaqe ende të paqarta mjeti ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Policia e Durrësit bën të ditur se “në segmentin rrugor Fushë-Krujë – Krujë, e pikërisht në fshatin Halil, ka dalë jashtë rruge automjeti fuoristradë me targa CD 21009, pronë e Ambasadës Ruse. Si pasojë është dëmtuar lehtë dhe ndodhet në Spitalin e Krujës drejtuesi i mjetit, shtetasi rus A. K.”. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forca të shumta policie shkuan në vendngjarje dhe nisën menjëherë hetimet për shkaqet që çuan në këtë aksident. Burime nga spitali bëjnë të ditur se gjendja e diplomatit rus është jashtë rrezikut, pasi ka pësuar vetëm dëmtime të lehta.
Precedenti
Ky nuk është rasti i parë që makinat e Ambasadës Ruse përfshihen në aksidente rrugore. Në nëntorin e vitit të kaluar një automjet i kësaj Ambasade është përplasur me një motor, me të cilin po udhëtonin dy të rinj. Aksidenti ndodhi në afërsi të pallateve “Agimi” në Tiranë. Gjatë përplasjes me automjetin e diplomatit rus Aleksandër Prishcepov janë plagosur lehtë dy të rinj. Burime jo zyrtare bën të ditura në atë kohë se në momentin e aksidentit ka qenë i pranishëm edhe ambasadori. Policia tha se ka bërë dokumentimin e ngjarjes ndërsa nuk ka kryer asnjë ndërhyrje tek personat që shoqëronin ambasadorin, për shkak se ata zotërojnë imunitet diplomatik.
“Kryqëzimi”, pranga dy të rinjve që shpërndanin heroinë
DURRËS – Dy të rinj bien në pranga me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Në kuadër të operacionit policor “Kryqëzimi”, uniformat blu të qytetit bregdetar kanë vënë në pranga Fatmir Krasniqin 27 vjeç dhe Luan Kokomanin, 26 vjeç.
Policia bën të ditur se dy të ndaluarit u kapën në flagrancë duke shitur lëndë narkotike në Lagjen Nr. 17 Durrës, me veturën tip “Volkswagen” me targë TR 8280 M, të drejtuar nga Luan Kokomani. Në këtë automjet u gjet e sekuestrua sasia prej 0,80 gramësh lëndë narkotike e dyshuar si heroinë. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Fatmir Krasniqi u gjet e u sekuestrua sasia prej 735,6 gramësh lëndë e dyshuar si narkotike e llojit Cannabis sativa. Përveç lëndës narkotike, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti që shërbente për shpërndarjen e saj. Materialet procedurale për veprën penale të prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Aksidentet, një i vdekur dhe tre të plagosur në Tiranë
TIRANË – Dy aksidente me tre të plagosur dhe një të vdekur janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet. Policia e Tiranës bën të ditur se ka vënë në pranga dy shoferët që kanë qenë shkaktarë të aksidenteve dhe përkatësisht Avni Gaxha dhe Florent Elezi. Në njoftimin për shtyp policia bën të ditur se ka arrestuar në flagrancë Avni Rustem Gaxhën, 43 vjeç, banues në Tiranë. Ky person, duke drejtuar automjetin tip “Benz” mikrobus, me targë TR 6278 F, në autostradë, në drejtim lëvizje Vorë - Tiranë, në afërsi të mbikalimit Kashar ka goditur nga pas automjetin tip “Astra” betoniere, me targë TR 4237 J, që drejtohej nga shtetasi Gëzim Doda. Sipas uniformave blu, për shkak të aksidentit është dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit, Avni Gaxha, si dhe dy pasagjerë që ndodheshin në këtë mjet, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa pasagjeri Shkëlqim Hoxha, 30 vjeç, ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore. Policia tha gjithashtu se është realizuar dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Florent Fejzi Elezi, 23 vjeç, banues në Tiranë. “Ky shtetas, duke drejtuar automjetin tip “Audi A4” me targë TR 3627 M, në rrugën me drejtim lëvizje nga Kombinati për në qendër Tiranë, ka aksidentuar këmbësoren 68-vjeçare Metie Shahin Sefa. Drejtuesi i mjetit, pas aksidentit është larguar nga vendngjarja, ndërsa e dëmtuara me një mjet të rastit është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe pavarësisht ndihmës së mjekëve ka gjetur vdekjen. Për të dy të ndaluarit, policia bën me dije se ka plotësuar dosjet penale më akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe se materialet i kanë kaluar organit të akuzës.
25 Mars 2010