E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajon: Heqja e vizave, ka vetëm kushte teknike



Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon tha dje se Tirana zyrtare i ka plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara në Udhërrëfyesin e Komisionit Evropian për heqjen e vizave. Në një prononcim për mediat pas vizitës dy ditore në Shqipëri ajo theksoi se “ne kemi vizituar Shqipërinë kohët e fundit dhe mbetëm goxha të kënaqur me progresin teknik në Tiranë. Unë do të thosha, nëse Shqipëria plotëson kushtet, atëherë s’ka arsye për shtyrje të procesit të heqjes së vizave”. Sipas deputetes së Parlamentit Evropian procesi teknik për heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Evropian nuk duhet të përzihet në asnjë moment me procesin politik. “Unë do të thosha se përmbushja e kritereve të udhërrëfyesit për heqjen e vizave është një proces teknik. Janë më shumë se 100 kritere teknike, që një vend duhet t’ju përgjigjet për të kualifikuar. Pjesa teknike është më e rëndësishmja dhe unë nuk do të shtoja asnjë kriter politik në këtë udhërrëfyes. Duhet të jetë një proces rreptësisht i ndarë me atë politik”, vijoi më tej Fajon. Ndërsa deputetja e grupit të të gjelbërve, Marije Cornelissen, tha se “jam mbështetëse shumë e fortë e heqjes së vizave për Shqipërinë. Progresi që pashe ishte shumë impresionues, kështu që do t’i rekomandoj nga grupit tim që të votojë në favor të heqjes së vizave”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›