Vidhnin ndihmat ekonomike, në hetim katër persona
KORÇË – Katër persona po hetohen për abuzime më detyrën pasi dyshohet se kanë plotësuar më anë të abuzimeve dokumentet duke tërhequr ndihmë ekonomike nga shteti në mënyrë të paligjshme. Policia ka nisur hetimet për abuzimet e dyshuara me ndihmën ekonomike në komunën Liqenas të Korçës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se kanë nisur hetimet për akuzën shpërdorim detyre ndaj punonjësve të kësaj komune si dhe ndaj banorëve të kësaj komune për akuzën e vjedhjes, pasi kanë plotësuar me anë të abuzimit dokumentet duke tërhequr ndihmë ekonomike nga shteti pa përmbushur kushtet. Personat në hetim sipas policisë, janë: Edmond Themelko, Ilia Themelko, Spase Vurmo dhe Sterjo Kolefski. “Këta shtetas, në bashkëpunim me punonjës të tjerë të komunës Liqenas, kanë abuzuar në detyrë duke futur në skemën e përfitimit të ndihmës ekonomike persona që nuk plotësojnë kushtet”, - tha policia. Më tej policia sqaron kriteret kur përfitohet kjo ndihmë ekonomike dhe në rastet e hetuara deri tani, personat nuk i plotësonin këto kritere, pasi kishin një person të familjes të punësuar. Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje është duke hetuar dosjet e plotësuara nga personat e përfshirë në këtë hetim, pasi dyshohet se numri i rasteve të falsifikimit mund të jetë shumë herë më i madh.
SHKURT
Tenton vetëhelmimin me ilaçet e të afërmit
DURRËS - Një 26-vjeçare është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak për shkak të helmimit. Uniformat blu bëjnë të ditur se shtetasja V. V. është sjellë në spital nga të afërmit e saj në gjendje të rëndë. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore lidhur me këtë ngjarje rezulton se ajo ka tentuar të vetëhelmohet duke përdorur një sasi medikamentesh qetësuese për arsye që lidhen me sëmundjen e një prej anëtarëve të familjes së saj. Aktualisht e dëmtuara ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit.
Digjet magazina, rrezikohen banesat
BERAT – Flakët shkrumbojnë plotësisht një magazinë në qytetin e Beratit. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, ku një magazinë e madhe mallrash është përfshirë nga flakët. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në lagjen “Donika Kastrioti”, ku flakët e zjarrit kanë rënë në magazinën në pronësi të shtetasit Abdul Kaloti. Forca të shumta të policisë shkuan në vendin e ngjarjes bashkë me zjarrfikëset nisën punën për të shuar zjarrin dhe izoluar flakët nga objektet tjera të banimit që ndodhen pranë magazinës së dëmtuar.
Ndotet me vaj dhe naftë Porti i Vlorës
VLORË – Mbetje vaji dhe nafte kanë mbuluar mesditën e djeshme një pjesë të detit pranë dy kalatave të Portit të Vlorës. Dy bote të vogla anijesh që merren me pastrimin e mbetjeve vajore të anijeve të mëdha, vajrat dhe mbeturinat e tjera vajore që dalin nga anijet, i transportojnë nga anija e madhe për në mol dhe atje i ngarkojnë në autobote, për t’i shkarkuar në vende të caktuara ose gropa enkas për këto mbeturina. Sasi të mëdha vaji janë verifikuar në ujërat e Gjirit të Vlorës. Sipas punëtorëve të Portit, këto mbetje ishin më të shumta në momentin e shkarkimit, por dallgëzimi i detit i ka larguar ose futur në brendësi të detit.
25 Mars 2010