Montobbio: Shqipëria në BE? Varet nga progresraporti i KE
Duke folur gjatë një takimi mbi programet dhe prioritetet e Presidencës Spanjolle të BE-së, për 6-mujorin e parë të vitit 2010, Montobbio tha se "metamorfoza juaj duhet të ecë në drejtimin e duhur, me qëllim forcimin e shtetit të së drejtës, respektimin e standarteve të BE-së për zgjedhjet, ku të gjitha palët të bien dakord, funksionimin e një administrate që të jetë e mbështetur tek meritat e personelit, luftën kundër korrupsionit etj".Gjithashtu, ambasadori Montobbio tha se, në kuadër të integrimit në BE Shqipëria duhet të përballet dhe me procese teknike si liberalizimi i vizave, për të cilin duhen përmbushur disa standarte, ndërsa ecuria e tyre do të monitorohet nga misionet e KE-së. Në këtë kuadër kryediplomati spanjoll në Tiranë informoi se javën e ardhshme në Shqipëri do të vijë një mision i tillë, dhe një tjetër në fund të muajit shkurt, të cilët më pas do të çojnë vlerësimet e tyre pranë Këshillit të BE-së.Lidhur me kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, Ambasadori Montobbio veçoi rëndësinë e përgjigjeve të pyetësorit, të cilat do të japin gjendjen aktuale të vendit dhe Këshilli merr një ide të përgjithshme. Sipas tij, ecuria e këtyre proceseve nga Shqipëria do të diskutohet në një takim që do të mbahet në Bruksel mes palës shqiptare dhe Këshillit të Stabilizim-Asocimit të BE-së, më 10 maj. Nga 1 janari 2010, Spanja mban presidencën 6-mujore të radhës së BE-së, ku prioritet kryesor i saj parashikohet të jetë vënia në zbatim e Traktatit të Lisbonës dhe e institucioneve të reja që pritet të bëjnë të mundur transformimin e Evropës.